“Nuk i trembemi metodave autoritare”- 23 deputetë të opozitës referohen në SPAK, reagon Gazment Bardhi: PS e ka ngritur krimin në sistem

“Nuk i trembemi metodave autoritare”- 23 deputetë të opozitës referohen në SPAK, reagon Gazment Bardhi: PS e ka ngritur krimin në sistem

Policia e Tiranës njoftoi të martën se ka referuar në SPAK 23 deputetë të Partisë Demokratike pas protestës së të hënës duke djegur karriget para selisë së Kuvendit. Edhe shumica parlamentare kërkoi masë disiplinore për 24 deputetë, ndërsa ambasadat e BE dhe SHBA dënuan dhunën.

Gjatë seancës plenare të hënën pasdite, deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren dhe dogjën karriget në oborrin e Parlamentit në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji pas dënimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit.
Por akti i protestës rrezikon të çojë një pjesë të mirë të tyre para përgjegjësisë penale, pasi të martën Policia e Tiranës njoftoi se specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, për 23 deputetë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledjon Nallbati akuzohen për veprat penale “shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “goditjet për shkak të detyrës”, ndërsa 20 deputetë të tjerë demokratë akuzohen për veprën penale “shkatërrimi i pronës”.
“Këta shtetas (deputetë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë) kanë kryer veprime të dhunshme duke dëmtuar foltoren e Kuvendit, kanë thyer një karrike dhe kanë hedhur në drejtim të Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, sende të forta (pjesë të karriges së thyer). Gjithashtu kanë djegur disa karrige, në ambientet e jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Kreu i grupit demokrat, Bardhi e konsideroi procedimin penal të deputetëve si përdorim të policisë nga pushteti kundër opozitës.
“Edi Rama dhe vegla e Ergys Agasit në Ministrinë e Brendshme nuk e trembin dhe nuk do ta trembin dot Opozitën. Partia Socialiste e ka ngritur krimin në sistem dhe sot po tenton të zhbëje opozitën,” tha Bardhi për BIRN, duke shtuar se “nuk i trembemi metodave autoritare që po i rijetëson Edi Rama sot”.
Deputetët e PD-së pritet të përballen gjithashtu me masa disiplinore për përjashtim nga seancat plenare në bazë të një kërkese të një grupit deputetësh të shumicës socialiste në Kuvend.
PS kërkon ndëshkim për 24 deputetë të opozitës me argumentin se kanë kryer shkelje flagrante të etikës dhe sjelljes parlamentare.
Ndërkohë, në një njoftim zyrtar të Kuvendit bëhet e ditur se është ngritur një grup pune për të vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar.
“Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë,” thuhet në njoftimin e administratës së Kuvendit.
Administrata e quan sjelljen e opozitës një sulm të rëndë dhe të dënueshëm nga ligji.
Protesta e opozitës mori dhe vëmendjen e ndërkombëtarëve, të cilët dënuan dhunën dhe bënë thirrje për dialog.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, duke folur para mediave të martën tha se “në një demokraci funksionale si Shqipëria, pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin”.
Ndërsa ambasada e SHBA në një reagim publik shprehu shqetësimin “për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën”.
“Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik,” apeloi kjo ambasadë./BIRN

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi