“Nuk duhet të ngremë histeri kolektive kundër mjekëve”- Noka për skandalin tek Onkologjiku: Tenderomania e ka shkatërruar sistemin e shëndetësisë, spitalet në ditën më të zezë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, gjatë fjalës së tij në Kuvend është ndalur te skandali në Spitalin Onkologjik, ku mjekët orientonin pacientët e sëmurë me kancer drejt klinikave të tyre private.
Noka është shprehur se ajo që ka ndodhur te Onkologjiku nuk është rastësi, por shtoi se nuk duhet ngritur histeri kolektive ndaj mjekëve. Sipas tij, e gjithë skema e përdorur në spitalin Onkologjk ka burim propagandën e qeverisë.
Deputeti demokrat tha se tenderomania ka shkatërruar sistemin e shëndetësisë sepse është vjedhur çdo para publike, teksa theksoi se spitalet janë në ditën e tyre më të keqe.
“Më të mirët në vjedhje jeni dhe keni goxha përvojë saqë keni shkuar të vjedhja 100%. Edhe ajo që ndodhi te Onkologjiku, nuk ishte rastësi, kështu funksiononi ju. Unë jam mjek që kam punuar te Onkologjiku, i kam kolegë të gjithë ata dhe sigurisht ndjej keqardhje dhe dhimbje, por kushdo ndot bluzën e bardhë, drejtësia duhet të veprojë mbi ta.
Edhe dje, kur te Onkologjiku kishte rënë bomba, qytetarëve u është shërbyer nga mjekët dhe stafi mjekësor. Mjekët kanë punuar dhe punojnë për të t’u ardhur në ndihmë pacientëve, këtë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë. Kurrë nuk duhet të ngremë histeri kolektive kundër mjekëve. Por kjo e gjitha ka një burim, propagandën e qeverisë për të shpëtuar nga burimi i së keqes, e gjitha kjo bëhet me regji që nesër Rama t’u thotë shqiptarëve të lodhur e të rraskapitur me shëndetësinë falas për të thënë se fajtorët janë mjekët.
Qëllimi është zhvendosja nga vëmendja e batërdisë nga qeveria te mjekët. Ka mjekë që ndotin bluza të bardha, por tenderomania e shëndetësisë e ka shkatërruar sistemin e shëndetësisë sepse është vjedhur çdo para publike. Spitalet janë në ditën e tyre më të zezë. Kudo në çdo spital, ku qytetarët shqiptarë shkelin shohin se ka mangësi medikamente, ka mungesa me pajisjet e imazherisë. Po spitalet që po mbyllen?! Mos vallë e kanë fajin mjekët.
Këto fytyra këtu jua vjedhin taksat tuaja, jo mjekët. Këta janë të vetmit të kënaqur nga shpërthimi i këtij skandali, kjo është politika perverse që politika e sulltan Surrelit ka ndjekur që ditën e parë që ka marrë pushtetin.
Ndaj shqetësohen kur opozita ngre zërin, ndaj akuzon opozitën sepse është mësuar të fajësojë të tjerët.
Edi Rama dhe çeta e hajdutëve e dinë shumë mirë gjendjen në shëndetësi. Prioriteti i Ramës në këto 12 vite nuk ka qenë kurrë shëndeti i qytetarëve, por kanë qenë koncesionet për të vjedhur, fasadat dhe mbi të gjitha propaganda”, tha Noka.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
<a class=”source-link” href=”http://www.panorama.com.al/nuk-duhet-te-ngreme-histeri-kunder-mjekeve-noka-per-skandalin-tek-onkologjiku-tenderomania-e-ka-shkaterruar-sistemin-e-shendetesise-spitalet-ne-diten-me-te-zeze/”>Burimi</a>