
Nisma e PS për “burgjet e hapura”/ KQZ e cilësoi si ligj elektoral, por KAS e rrëzon, i hap rrugë miratimit në Kuvend
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar KQZ sa i takon një nisme te deputetit të PS, Nasip Naço për “burgjet e hapura”, të cilën KQZ e konsideroi si ligj elektoral.
Ishte Kuvendi i Shqipërisë, i cili më 20 shkurt ankimoi bllokimin që KQZ i bëri këtij projektligji, i cili parashikon kalimin e të dënuarve në burgje të hapura.
Ky projektligj ngjalli shqetësime për ndikim elektoral, pasi konsiderohej se favorizonte një kategori të caktuar të popullsisë, duke krijuar një lidhje me periudhën e zgjedhjeve të 11 majit.
“Nuk shkel parimet e Kodit Zgjedhor. Të burgosurit nuk përfitojnë prej atij ligji financiarisht”, thuhet në vendimin e KAS.
Çfare parashikon nisma
Sipas propozimit, një i burgosur që vuan dënimin në burgjet e sigurisë së lartë në Shqipëri dhe ka kryer se 2/3 e dënimit, mund të kalojë në një institucion të sigurisë së zakonshme pa qenë nevoja që të shkojë në gjykatë, por vetëm me kërkesë të drejtorit të burgut.
Gjithashtu, drafti parashikon që të dënuarve që u ka mbetur më pak se 2 vjet e 6 muaj burgim për të vuajtur mund ta kryejnë dënimin jashtë qelive, me mbikëqyrje të perimetrit minimal të sigurisë, me kushtin që të sigurojnë një kontratë të rregullt pune.
Ndryshimet në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, janë nxitur, sipas Naços nga problematikat e zbatimit të ligjit në fuqi dhe ofrojnë sipas tij zgjidhje për rehabilitimin social, vetëqeverisjen dhe kosto më të ulëta për burgjet.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi