Nis Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë! Autorë të shquar evropianë do të takojnë lexuesit shqiptarë
Vjen në Tiranë Festivali treditor i Letërsisë Evropiane (FELT).
Ky festival i organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, do të zhvillohet në datat 12-14 dhjetor 2024. FELT është një aktivitet që kremton letërsinë evropiane duke promovuar në Shqipëri autorë bashkëkohorë dhe vepra letrare nga gjithë Evropa, përkthyer dhe botuar edhe në shqip.
FELT do të zhvillohet në tre mjedise: Shtëpia e Evropës, Biblioteka Kombëtare (Qendra “Sotir Kolea”) dhe Qendra e Artit “Agimi”.
Festivali do të ofrojë një platformë për të nxitur dialogun, për t’u zhytur në peizazhe të ndryshme letrare dhe për të zhvilluar një kuptim më të mirë të botës së sotme përmes letërsisë në një seri bisedash që pasqyrojnë diversitetin e letërsisë dhe gjuhëve evropiane.
Autorë të shquar evropianë nga Kroacia, Franca, Greqia, Italia, Irlanda dhe Polonia, si dhe vepra letrare për fëmijë nga Holanda, do të takojnë lexuesit shqiptarë dhe do të vizitojnë nxënësit e shkollave të mesme.
Për festivalin FELT, Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alesandro Ruggera tha se qëllim i tij është të nderojë tradita të ndryshme letrare dhe të lidhë autorët evropianë me shkrimtarët dhe lexuesit shqiptarë.
“Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë (FELT), synon të nxisë shkëmbime frymëzuese, të nderojë tradita të ndryshme letrare dhe të lidhë autorët evropianë me shkrimtarët dhe lexuesit shqiptarë. Ai aspiron të kultivojë një vlerësim të thellë për fuqinë e fjalës së shkruar në telajon e pasur të traditave letrare evropiane”, tha Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alesandro Ruggera.
Ndërsa ambasadroi i BE, Sivlio Gonaza u shpreh se letërsia na mundëson të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin
“Letërsia, ashtu si format e tjera të artit, na frymëzon, angazhon dhe sfidon. Ajo na hap mendjen ndaj ideve të reja, na mundëson të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, na ndihmon të ndërtojmë shoqëri më të ndryshme dhe gjithëpërfshirëse.
FELT, Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë, është një kremtim i vlerave evropiane, duke e afruar BE-në me Shqipërinë”, tha Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.
Festivali organizohet nga Delegacioni i BE-së, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, si dhe me ambasadat e Greqisë, Francës, Kroacisë, Holandës, Polonisë dhe Ambasadën e Irlandës në Athinë.
Të drejtat e njeriut, çështjet mjedisore, ballafaqimi me të kaluarën, traumat e fëmijërisë, vetëdija dhe rritja e brendshme në sfonde të ndryshme kulturore, njohja dhe kuptimi i vetes dhe të tjerëve, udhëtimet dhe mendimet e brendshme që përcaktojnë rrugët tona, pasojat e luftës dhe konfliktit, jetët dhe ëndrrat e trazuara, epoka e internetit – këto janë disa nga temat e trajtuara nga shkrimtarët evropianë që i bashkohen FELT-së.
Festivali do të ketë seanca leximi nga veprat e Catherine Prasifka, Annet Schaap dhe Annie MG Schmidt, Kristos Armando Gezos, Margo Rejmer, Dominique Barbéris, Miro Gavran dhe Paolo Giordano.
Bisedat e tyre me autorë dhe përkthyes letrarë shqiptarë, me pjesëmarrjen e një publiku të larmishëm, do të prekin stile të ndryshme letrare bashkëkohore dhe do të krijojnë idhje me nismat kulturore dhe arsimore vendase.
FELT ka të bëjë me vlerat evropiane dhe thekson rolin e letërsisë në promovimin e dialogut, mirëkuptimit ndërkulturor dhe përfshirjes, ndërsa ofron një platformë që autorët evropianë të ndajnë perspektivat, njohuritë dhe proceset e tyre krijuese.
Duke nxitur dialogun mbi çështjet aktuale sociale, politike dhe kulturore përmes thjerrëzës së letërsisë evropiane, FELT thekson gjithashtu rëndësinë e leximit dhe rrëfimit mes pjesëmarrësve, veçanërisht studentëve dhe lexuesve të rinj.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi