
Në listat e mbyllura të PS do jenë gra dhe të rinj, zbardhen detaje nga takimi i Ramës me drejtuesit e qarqeve! Kush janë 4 kryebashkiakët që duan të futen në garën e 11 majit
Të tjera detaje mësohen në lidhje me takimin që ka pasur kryeministri Edi Rama me secilin nga drejtuesit politikë të qarqeve për PS-në.
Gazetari Osman Stafa raporton se Rama ka takuar disa prej drejtuesve politikë të PS në qarqe, ku secili pritet të japë emrat e kandidatëve për deputetë.
Bëhet me dije se në listën e mbyllur do jenë gra dhe të rinj. Ndërkaq, 4 kryebashkiakë aktualë pritet që të kandidojnë për deputetë.
“Kryeministri Edi Rama sot zhvilloi takime me drejtuesit politikë të PS-së. Sot kryeministri ka nisur takime që në orën 9, duke folur me drejtuesit politikë të qarqeve. Blendi Klosi i ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë të qarkut Dibër. Më pas, është folur me Kumbaron, Becin, Sakon, Niko Peleshin, Bledi Çuçin. 4 kryebashkiakë kanë kërkuar që të jenë kandidatë për deputetë, Ervin Demo, Tërmet Peçi, Agron Malaj dhe kryetarja e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj.
Listat e mbyllura do jenë për gratë dhe të rinjtë ose që kanë jo më shumë se një mandat. Mbetet për t’u parë nëse takimet do vijojnë apo janë mbyllur. Mbeten ende drejtues të tjerë politikë, me të cilët Rama nuk ka folur ende. 12 marsi është dita e fundit, ku mund të dorëzohet lista e kandidatëve për deputetë. Në anën tjetër, edhe Kryesia e PD pritet që të mblidhet për kandidatët për deputetë”, tha gazetari Stafa.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi