Mbledhja e Sekretariatit të Etikës për masat disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, Noka paralajmëron: E kanë këta radhën!

Mbledhja e Sekretariatit të Etikës për masat disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, Noka paralajmëron: E kanë këta radhën!

Ndërsa në orën 15:00 pritet të mblidhet sekretariati i etikës për të shqyrtuar kërkesën e grupit të PS për marrjen e masave ndaj deputetëve të opozitës, pas kaosit në seancën e së hënës në Kuvend.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka mbërritur në kryesinë e Kuvendit dhe ka paralajmëruar duke thënë “ E kanë këta radhën”.
 

Grupi i PS ka kërkuar masa disiplinore, ndaj deputetëve Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.
“E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit. Seanca Plenare e datës 30.09.2024 nisi me tensione dhe dhunë nga deputetët e opozitës, sjellje këto të cilat cenuan zhvillimin e rregullt të seancës plenare, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit.
Deputetët e opozitës që në nisje të seancës i janë drejtuar foltores duke e bllokuar atë dhe duke u konfliktuar fizikisht me punonjësit e Gardës së Republikës. Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati goditën me mjete shumë të forta drejt Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, mjete të cilat mund të rrezikonin dhe jetën, dhe vënia në rrezik e jetës brenda sallës së Kuvendit të Shqipërisë është e papranueshme.
Deputetët e opozitës vijuan me kaosin në sallë duke nxjerrë jashtë nga salla e parlamentit karriget të cilave më pas u vendosën flakën, duke rrezikuar kështu përhapjen e flakëve në godinë. Tensionet e krijuara në sallë penguan deputetët e mazhorancës që të mbanin fjalët e tyre të cilët ishin regjistruar për të diskutuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, sipas rendit të ditës, Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati nuk lejuan që deputetët Erion Braçe dhe Petro Koçi të mbanin fjalët e tyre duke i marrë kartën dhe dëmtuar paisjen elekronike.
Deputetët gjithashtu kanë tentuar të mos lejojnë të mbante fjalën dhe Kryetari i grupit Niko Peleshi dhe Nënkryetari i Grupit Toni Gogu duke krijuar tensione. Këto sjelle dhe veprime të rënda kanë cenuar rëndë parimet dhe vlerat parlamentare. Këto situata të rënda kanë dëmtuar jo vetëm imazhin e Kuvendit si institucioni më i lartë ligjvënës i vendit, por edhe pengojnë përmbushjen e funksioneve të tij të rëndësishme. Veprimet e deputetëve të opozitës janë një shkelje e hapur dhe flagrante e detyrave të tyre si përfaqësues të popullit dhe bien ndesh me normat e mirësjelljes dhe etikës parlamentare”, thuhet në kërkesën e grupit të PS.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi