Mandati i Olta Xhaçkës/ Kritikat e BE dhe SHBA për shpërfilljen e vendimeve të GJK, Spiropali: Do veprojmë sapo të marrim opinionin nga Komisioni i Venecias

Mandati i Olta Xhaçkës/ Kritikat e BE dhe SHBA për shpërfilljen e vendimeve të GJK, Spiropali: Do veprojmë sapo të marrim opinionin nga Komisioni i Venecias

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ka reaguar pas kritikave nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e SHBA, për mosdërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.

Spiropali shprehet se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, por votimi në Kuvend demonstroi sipas saj, se vendimi i GJK ka nevojë për sqarim.
Ajo thekson se i është drejtuar Komisionit të Venecias për mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën, dhe se do të veprohet sipas opinionit të tyre pa humbur asnjë ditë më shumë.
Reagimi i plotë
Ndaj plotësisht bindjen se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit.
Prandaj edhe e theksova gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysëm më parë dhe së fundmi ai i Korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh.
Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin, për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme.
Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë.
Përfaqësitë e BE dhe SHBA në Shqipëri e cilësuan shpërfillje nga ana e Kuvendit vendimin të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Kujtojmë se mazhoranca socialiste ka abstenuar me 65 vota, 9 kanë votuar kundër, ndërsa pro votuan 25 deputetë të opozitës.
9 deputetët që votuan kundër ishin Jurgis Çyrbja, Bledi Çuçi, Damian Gjiknuri, Anduel Tahiraj, Paulin Stërkaj, Petro Koçi, Klodiana Spahiu, Shkëlqzim Bullari dhe Bujar Çela. Në votim nuk mori pjesë kryeministri Rama, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë.
LEXO EDHE: PS nuk çon në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës, reagon BE: S’është hap në drejtimin e duhur
LEXO EDHE: Mandati i Xhaçkës dhe refuzimi për ta çuar në GJK/ Reagon Ambasada e SHBA: Parlamenti shpërfilli vendimin e Gjykatës Kushtetuese

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi