
Mallra kontrabandë dhe fshehje të ardhurash, arrestohet pronari dhe shitësi i një dyqani! Sekuestrohen 324 paketa me cigare
Policia ka vënë në pranga një pronar dyqani dhe shitësin, pasi shisnin paketa me cigare të dyshuara të kontrabanduara dhe fshihnin të ardhurat.
Gjithashtu, nën hetim është vënë vëllai i pronarit, ndërsa janë sekuestruar 324 paketa me cigare, pa pullë fiskale.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Cigarette”.
Goditet 1 rast i shitjes së mallrave të dyshuara të kontrabanduara. Sekuestrohen 324 paketa me cigare, pa pullë fiskale.
Vihen në pranga 2 shtetas (pronari dhe shitësi i dyqanit), procedohet penalisht 1 tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, si rezultat i një pune hetimore të kryer bazuar në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cigarette”.
Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në dyqanin e shtetasit P. G., ku nga verifikimet rezultoi se shiteshin paketa me cigare të dyshuara të kontrabanduara dhe fshiheshin të ardhurat e përfituara nga veprimtaria në këtë subjekt.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit P. G., 46 vjeç(pronari i dyqanit) dhe S. H., 39 vjeç (shitës në dyqan), të dy banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. G., 42 vjeç, vëllai i 46-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi