
Listat për deputetë/ Rama ‘maratonë’ diskutimesh me drejtuesit politikë të qarqeve, përfundon takimin me Ogerta Manastirliun! Dalin pamjet nga mbledhja e socialistëve
Për të tretën ditë me radhë, kryeministri Edi Rama zhvillon sot takimet me drejtuesit politikë socialistë në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Takimet nisën mëngjesin e së dielës në orën 09:00 për t’u shkëputur pasdreke, rreth orës 14.00. Takimet rinisën në orën 15:00.
Burime për News 24 bëjnë me dije se takimet e pasdites rinisën me drejtuesin politik të qarkut Kukës, Eduart Shalsi, e më pas kanë vijuar me një nga drejtuesit politik të qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliun.
Pas përfundimit me Manastirliun rreth orës 15:30, Rama do të takojë dhe kryeparlamentaren Elisa Spiropali, një nga drejtueset e qarkut Tiranë për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Theksojmë se, vendimi final për listat e kandidatëve do të merret në mbledhjen e kryesisë socialiste, e cila do të mbahet më 12 mars.
Gjithashtu, janë përmendur disa kryebashkiakë që kanë shprehur interes për të qenë në listat për deputetë, përfshirë Ervin Demon, kryetar i Bashkisë së Beratit, Juliana Mema, kryebashkiake e Dimalit, Tërmet Peçi, kryetar i bashkisë së Tepelenës dhe Agron Malaj, kryetar i bashkisë së Matit.
Për listën e mbyllur, Rama ka theksuar se do t’i japë prioritet më të madh përfaqësimit të grave dhe vajzave, ndërsa për listën e hapur do të përfshihen eksponentë të PS-së që kanë më shumë se dy mandate, të cilët do të luftojnë për një vend në Parlament.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi