Lirohet nga qelia ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani
Gjykata e Posaçme e Apelit ka liruar nga qelia ish-nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.
Erzen Breçani kishte ankimuar vendimin e GJKKO-së që e la në burg duke kërkuar masë më të lehtë sigurie.
Dhe Apeli i GJKKO-së ka vendosur lirimin e tij nga qelia duke caktuar masën “arrest shtëpie”.
“Pranimin e kërkesës; zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.B., me vendimin nr. 124., datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate dhe miratuar me vendimin nr. 87-2024-4 (1), datë 04.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij kodi”, thuhet në vendim.
Ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës urdhërohet që të mos largohet nga banesa e tij, si dhe që të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të atyre të cilët jetojnë në të njëjtën banesë.
Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 16.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 158 akti, datë 12.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 76, datë 30.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 76, datë 30.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:
– Pranimin e kërkesës; zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.B., me vendimin nr. 124., datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate dhe miratuar me vendimin nr. 87-2024-4 (1), datë 04.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij kodi.
– Urdhërohet lirimi i personit nën hetim E.B., nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
– Urdhërohet personi nën hetim E.B., që të mos largohet nga banesa e tij e cila ndodhet në adresën ***, si dhe që të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të atyre të cilët jetojnë në të njëjtën banesë.
– Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
“Po më rrezikohet jeta në qeli”
Ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, i cili u arrestua për pastrim parash, pretendoi se i rrezikohej jeta në qeli dhe se vuante nga klaustrofobia.
Në muajin shkurt, ish-zyrtari i lartë i Policisë u dërgua në spitalin e burgut pasi deklaroi se kishte frikë nga ambientet e mbyllura.
Ai kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të caktuar ndaj tij, por GJKKO me vendim të datës 31 Maj e rrëzoi. Megjithatë, Erzen Breçani fitoi lirinë pasi ankimoi vendimin në Apelin e GJKKO-së.
Erzen Breçani u arrestua më 20 nëntor 2023 dhe akuzohet për pastrim parash e përkrahje të autorit të krimit.
SPAK lëshoi 11 urdhër arreste ku u prangosën zyrtarë të lartë të policisë, ku mes të cilëve ishin Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6, Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i policisë së Tiranës, Bujar Ajezin dhe Besmir Murati.
Ata akuzohen për “pastrim parash”, “grup i strukturuar kriminal”, “trafik droge”, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje”, “shpërdorim detyre” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Si Erzen Breçani njoftoi personazhin e botës së krimit për përgjuesit e vendosur nga policia në lokal
Gazeta Panorama Online zbuloi detaje nga dosja e Prokurorisë së Posaçme për grupin e strukturuar kriminal, ku ranë në pranga zyrtarë dhe ish-zyrtarë policie, përfshirë ish-nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.
Sipas përgjimeve të zbardhura në bisedat e personazhit të njohur të botës së krimit, Bujar Ajeti në aplikacionin SkyECC me një person tjetër i identifikuar me kodin J35P60, ai tregon se si Erzen Breçani i dha informacion mbi disa përgjues të vendosur nga policia në një lokal.
Pjesë nga përgjimet:
Me datë 14.08.2020 ora 14:37:12, Bujar Ajeti duke përdorur CC4RE2 bashkëbisedon dhe i tregon komunikuesit tjetër që tek lokali ku qëndrojnë ato, policia ka vënë përgjues dhe informacion e ka marrë nga Erzen Breçani. Kështu, CC4RE2 dërgon mesazhet: “…Sdi qa me t than… E paskan pas bombardu stanin e hoxhes…Me pergjusa… Mos pejt…”.
Me datë 15.08.2020 ora 18:23:54, Bujar Ajeti duke përdorur CC4RE2 komunikon me përdouresin J35P60 ku flitet rreth faktit që e kanë përgjuar dhe se kush ja ka dhënë këtë informacion.
Ata zhvillojnë bisedën:
…J35P60–Po cne aty duke ju pergju juve me lale…Si esht puna…Kush paska qen aj moterqir…
Bujar Ajeti –O lale fije e per pe…Ropqirt…Ifoni lale… Qe mbajm me vete…Pa e hap fare…I fikem…Komplet…
J35P60–He mos ja fút kot…
Bujar Ajeti: –I pergjo..Po lale…100 %…Po po…Me ane te imeit…”
Në orën 18:26:39 Bujar Ajeti dërgon mesazhet ku dyshohet se me fjalën “erz”i referohet Erzen Breçanit, ai dërgon mesazhet “…Mu kan qen tu m pergju…E ka hanger ai tjetri…Erz…Ato lart… O lale…E kan. bo… Te tiranes…Pash zotin mos fol me kan…Se qija ropt pastaj…Maje per vete qa folëm bashke…Sjam tu i zane bese as ktij tani…”.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi