“Lamtumirë Ismail Kadare”- Ndarja nga jeta e gjeniut të letërsisë shqipe, ish-ministri Sandër Lleshaj: Ka shënjuar dy shekuj të historisë shqiptare!
Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar pas ndarjes nga jeta të gjeniut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare në spitalin e QSUT-së.
“Lamtumirë Ismail Kadare”, shkruan Lleshaj, teksa shprehet se shkrimtari ka shënjuar dy shekuj të historisë shqiptare.
“Ismail Kadare shkoi sot në amshim. Shkoi krejt në paqë, në mënyrën më të zakonshme, pas një pranie krejt të jashtëzakonshme, e cila ka shenjuar dy shekuj të historisë shqiptare”, u shpreh ish-ministri.
“Sot ne kemi të drejtën të jemi të lumtur për veprën e madhe që Kadare na la trashëgim dhe të trishtuar për zbrazëtirën që pason”, thekson Leshaj, duke përfunduar “Por më shumë se sa ne, sot duhet të vajtojë shekulli i ri, që nisi pa Kadarenë.”
Reagimi i ish-ministrit Lleshaj:
LAMTUMIRË ISMAIL KADARE!
Ismail Kadare shkoi sot në amshim. Shkoi krejt në paqë, në mënyrën më të zakonshme, pas një pranie krejt të jashtëzakonshme, e cila ka shenjuar dy shekuj të historisë shqiptare.
Largimi i tij është një ngjarje normale. Por nuk ishte aspak e tillë prania e tij. Ajo ishte krejtësisht përtej normales.
Kadare lindi në një Shqipëri pothuajse analfabete, u rrit aty dhe mbërriti që, me gjuhën e saj të munduar e prej shekujsh të ndaluar, t’i dëshmojë Botës artin e madh të shpirtit të një populli tragjikisht europian.
Ne patëm fatin të jetojmë në kohën e tij e, ndoshta pikërisht prej kësaj afërsie, edhe pamundësinë për ta rrokur plotësisht domethënien shumë përmasore të veprës së tij të pashoqe.
Sot ne kemi të drejtën të jemi të lumtur për veprën e madhe që Kadare na la trashëgim dhe të trishtuar për zbrazëtirën që pason.
Por më shumë se sa ne, sot duhet të vajtojë shekulli i ri, që nisi pa Kadarenë.
Zoti të dhashtë paqen e pasosur mjeshtër!
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi