Kryeministri Rama në krah të Presidentit Joe Biden dhe Jens Stoltenberg! Fotoja familjare e Këshillit të Atlantikut të Veriut
Kryeministri Edi Rama ka qenë pjesë e samitit të NATO-s me rastin e 75 vjetorit të themelimit të Aleancës, takimi i mbajtur në Uashington. Në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka publikuar pamjet kur është takuar me Presidentin Biden dhe Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg.
Më pas Presidenti i SHBA ka pritur një e nga një te gjithe liderët, duke bërë edhe foton familjare.
Pjesë e delegacionit shqiptar është edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
Presidenti Joe Biden iu drejtua udhëheqësve të vendeve të NATO-s gjatë një fjalimi të martën në Uashington, duke vënë në pah unitetin e aleancës kundër agresionit rus në Ukrainë dhe nënvizuar angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës ndërsa ai drejton Shtëpinë e Bardhë.
“Sot, NATO-ja është më e fuqishme se kurrë, me 32 shtete të forta”, tha zoti Biden teksa mirëpriti udhëheqësit në një mbrëmje për të shënuar 75 vjetorin e aleancës. “Është gjë e mirë që jemi më të fortë se kurrë, sepse ky moment historik ka nevojë për fuqinë tonë të përbashkët”, tha ai me zë të fortë dhe kokën lart.
Takimi i NATO-s vjen në një moment prove për presidencën e demokratit Biden. Disa demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve i kanë bërë thirrje publikisht që të heqë dorë nga fushata për Shtëpinë e Bardhë. Ligjvënës të tjerë, në biseda private, i kanë kërkuar zotit Biden që të tërhiqet ndërsa donatorë të profilit të lartë kanë ngritur shqetësime lidhur me aftësitë e tij në garën kundër republikanit Trump. Presidenti Biden do të përballet me biseda të rëndësishme dhe të vështira lidhur me sigurinë globale gjatë takimit të NATO-s në kryeqytetin amerikan.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi