
“Kontratë midis të huajve dhe zotërinjve të shtëpisë”/ Kultura shqiptare, si Odise e turizmit të ardhshëm
GENT SINANI
Në një botë ku çdo bregdet i pa prekur dhe çdo mal i pashkelur kërkohet të paketohet si produkt, Shqipëria qëndron në një prag të rrallë: mund të zgjedhë të mos bëhet vetëm konsumatore e globalizmit, por krijuese e një turizmi që lartëson shpirtin. Kjo nuk është thjesht një ide ekonomike por është një epope filozofike. Ashtu si Odiseu kthehej në Ithakë duke mos humbur identitetin ndaj mijëra vështirësive e përfshirë këtu edhe këngët e sirenave, ashtu edhe Shqipëria, në këtë kohë, është e thirrur të kthehet në rrënjë për të parashikuar e paracaktuar me vullnet e vizion, të ardhmen.
RRËNJËT SI HARTA E FSHEHUR
Roger Scruton, filozofi që e ndau botën në “bukurinë e vërtetë” dhe “imitacionin vulgar”, na kujton se autenticiteti është valuta më e fuqishme në një epokë simulakrash. Shqipëria nuk ka nevojë të zbukurojë rrejshmërisht pamjen e saj për turistët ajo duhet vetëm të zbulojë thellësitë e saj. Kalatë e Malësisë, polifonia që ngjall shpirtin e një populli, dhe ritualet e lashta, nuk janë relike të muzeve. Ato janë “gjak i gjallë”, dhe si të tillë, duhen trajtuar si mistere që ftojnë në fillesë, jo si spektakle për foto. Këtu bëhet fjalë për një lloj turizmi që Yoram Hazony do ta quante “besë lidhje me territorin”: një udhëtim ku turisti nuk është një individ i huaj, por një mik që pranohet në shtëpi me gjithë rrethanat e saj nga kuzhina e thjeshtë e fliut deri te tregimet e natës rreth zjarrit.
Sipas Hazony-t, kombet që mbështeten në veçantitë e tyre “nuk ndërtojnë mure, por hapin porta”
TRADITA SI ASET TURISTIK
Patrick Deneen, paralajmëron se “progresi pa qëllim është regres”. Për Shqipërinë, kjo do të thotë: turizmi nuk duhet të jetë një strategji afatshkurtër e dritëshkurtër, por një mënyrë jetese që rikthehet në kanunin e harmonisë ndërmjet njeriu dhe vendit. Pse të mos rikthejmë shtëpitë e vjetra të Dibrës jo si hotele luksi, por si “shtëpi buke”, ku çdo vizitor merr pjesë në përgatitjen e bukës së misrit ose në thurjen e qilimave? Kjo nuk është romantizëm është rebelim kundër ekonomive që e shndërrojnë kulturën në komoditet. Rod Dreher, propozuesi i “Opsionit Benedikt”, na flet për komunitete që rezistojnë homogjenizimin duke thelluar identitetin.
Imagjino një Shqipëri ku fshatrat e Alpeve nuk janë thjesht pika në hartë, por “arkiva të njohurive të humbura”: vende ku turisti mëson të këndojë iso-polifoni, ose të interpretojë simbolet e moçme të qilimave. Ky nuk është thjesht turizëm, por është “arkeologji e gjallë e shpirtit”.
NGA MIT NË REALITET
Për të kthyer këtë vizion në realitet, duhet një shndërrim i mendjes. Ashtu si Skënderbeu përdori terrenin malor për të mposhtur pushtuesit, ne duhet të përdorim kulturën tonë si armë kreativiteti. Përdorimi i realitetit të zgjeruar (AR) për të “ringjallur” luftëtarët e Gjergj Kastriot Skënderbeut në kalatë e Krujës, ose për të kthyer qytetet antike në teatro holografike. Por kjo teknologjinuk duhet të jetë qëllim, vetëm një urtësi për të çuar vizitorin te thelbi i historisë. Gjeografia si poezi: Rruga e Tomorit, ku çdo pikëpamje është e lidhur me një legjendë; udhëtimi nëpër lumin Vjosë, ku çdo kthesë dëshmon e ka një tregim të Kanunit. Këto nuk janë thjesht itinerare— janë “epika në lëvizje”.
Dhe kujdes! Sipas Scrutonit, “turizmi masiv është armiku i bukurisë”. Prandaj, në vend të autobusëve që mbushin plazhet, le të krijojmë “rrugë të shenjta” ku vetëm këmbësorët dhe kalorësit mund të hyjnë një kthim në kohën kur udhëtimi ishte pelegrinazh.
SFIDA: BALANCA MIDIS PROMETEUT DHE EPIMETHEUT.
Mitologjia greke na mëson dy figura: Prometeu, që vodhi zjarrin për të ndarë dijen, dhe Epimetheu, që kujtoi të kaluarën. Shqipëria e sotme duhet të jetë “njëkohësisht të dyja”. Nga njëra anë, të integrojë inovacionin; nga ana tjetër, të mos harrojë se “zhvillimi pa identitet është një lloj vdekjeje” (Hazony). Kjo do të thotë: Të mos lejojmë që hotelet e reja të imitojnë arkitekturën globale, por të detyrohen të përdorin gurin dhe drurin lokal një ligj që nuk është kufizim, por “dashuri ndaj vendit”. Të krijojmë një “besëlidhje turistike”, ku çdo vizitor betohet simbolikisht në një ritual të improvizuar që do të respektojë zakonet, një ide kjo që Rod Dreher do ta quante “kontratë midis të huajve dhe zotërinjve të shtëpisë”.
HEROIZMI I NJË VIZITE
Në fund të ditës, çdo turist që vjen në Shqipëri nuk duhet të largohet thjesht me foto, por me një “përrallë të re për të treguar”. Kjo është fuqia e një turizmi të ndërtuar mbi traditën pasi ai nuk shet shërbime, por “ngjall transformime”. Nëse Shqipëria zgjedh të jetë “trashëgimtare e vërtetë e vetes”, ajo do të bëhet jo thjesht një destinacion, por një “simbol botëror”, një dëshmi se kultura nuk është pengesë, por krah për të fluturuar.
Ja ku jemi: para një zgjedhje midis të qenit turne guide në parkun tematik të globalizmit, ose “udhëheqës të një lëvizjeje ku çdo fshat, çdo këngë, çdo bukë është një fjalë në një poemë të pashkruar”. Zgjedhja, si gjithmonë në histori, është heroike./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi