Konfuzion me taksën e rrugës Thumanë-Kashar/ 2.1 euro apo 270 lekë? Ministria: Ja sa do paguajnë drejtuesit e mjeteve
Taksa e rrugës Thumanë-Kashar ka shkaktuar konfuzion tek drejtuesit e mjeteve, të cilët kanë shprehur edhe pakënaqësi.
Tarifa e vendosur nga Qeveria është 2.1 euro, por konçensionari i tarifon drejtuesit e mjeteve me 270 lekë, gjë e cila nuk përputhet me kursin e këmbimit valutor.
Por me anë të një njoftim Ministria e Infrastrukturës e bën edhe më të ngatërruar situatën. Kjo ministri njofton se sistemi i pagesës për aksin rrugor Thumanë – Kashar do të nisë zyrtarisht në ditët në vazhdim, por publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës.
Në vijim të sqarimit, deri në nisjen e këtij procesi, kompania do të kryejë në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit. Lidhur me orarin e këtyre testimeve publiku do të njoftohet 24 orë më përpara.
“Pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve gjatë fazës së kolaudimit, pasi ky aks rrugor u hap përpara afatit për t’i dhënë frymëmarrje qarkullimit dhe për të lehtësuar trafikun në akset e veriut si dhe për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në këto akse”, thuhet në njoftim.
Në fakt gjatë ditës së sotme, në pothuajse çdo kupon të publikuar jepet vlera 270 lekë, e cila nuk përputhet me asnjë vlerë, as me kursin e këmbimit dhe as me tarifën e përcaktuar nga Qeveria. Dhe çuditërisht në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës kjo tarifa 270 lekë nuk përmendet, as kërkohet ndjesë dhe as jepet ndonjë sqarim se mbi çfarë baze është aplikuar nga konçensionari. E gjitha nga çfarë sqarohet nga Ministria e Infrastrukturës duket si një justifikim apo si një testim që i bëhet qytetarëve, që në jo pak raste janë ndjerë të vjedhur, qoftë edhe me një diferencë 60 apo 70 lekë më shumë se ajo tarifa e përcaktuar nga Qeveria.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi