Keqpërdorimi i fondeve të BE-së, PD kërkesë për debat Kuvendit: Të diskutohet, analizohet dhe gjenden mekanizma që skema të tilla të mos përsëriten
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me gjetjet e Zyrës së Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF) dhe masat që duhet të marrë Kuvendi i Shqipërisë që të sigurohen mekanizmat e nevojshme që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale dhe që sjellin përfitimin e fondeve nga programi IPARD nga fermerët shqiptarë.
Kërkesa e Grupit Parlamentar të PD vjen pas një hetimi të kryer nga Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF), e cila njoftoi zyrtarisht se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës prej 112 milionë euro, për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Konkretisht OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve, ku përfshiheshin: (1) Aplikantëve u kërkohet t’i paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale; (2) Kontratat që jepen pa konkurrim, ose me konkurs të manipuluar (me oferta false që dorëzohen); (3) Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike shprehet se Kuvendi i Shqipërisë, duhet të diskutojë, analizojë dhe gjejë mekanizmat e nevojshme që skema të tilla abuzuese, që passjellin bllokimin e fondeve të Bashkimit Europian, të mos përsëriten në të ardhmen.
Për këtë qëllim është propozuar që pas zhvillimit të debatit të miratohet një Rezolutë që parashikon krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili pasi ka analizuar mangësitë, propozon masat konkrete që janë të nevojshme që institucionet përgjegjëse të Bashkimit Europian të rekomandojnë zhbllokimin e fondeve për Shqipërinë.
“Është e nevojshme që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një Rezolutë, ku dënon ashpër abuzimin me fondet e taksapaguesve europian, mban përgjegjëse administrativisht institucionet përkatëse të ekzekutivit, apelon institucionet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë për të vënë përpara përgjegjësisë penale cilido që ka shkelur ligjin, si dhe merr anagzhimin për të marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që të shmangen situate të kësaj natyre në të ardhmen dhe që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale, përmes ngritjes së një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili pasi ka analizuar mangësitë, propozon masat konkrete që janë të nevojshme që institucionet përgjegjëse të Bashkimit Europian të rekomandojnë zhbllokimin e fondeve për Shqipërinë” – shkruan Bardhi në kërkesën drejtuar Kryetares së Kuvendit.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi