Kanabisi mjekësor, ja 10 zonat ku do lejohet kultivimi! Standardet që duhet të plotësojë subjekti i licencuar

Kanabisi mjekësor, ja 10 zonat ku do lejohet kultivimi! Standardet që duhet të plotësojë subjekti i licencuar

Qeveria miratoi dje zonat kadastrale në të cilat lejohet kultivimi i bimës së kanabisit për qëllime industriale. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e qeverisë.

Ky hap vjen pas miratimit të ligjit nr. 61/2023, i cili ka për qëllim kontrollin dhe rregullimin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit, duke hapur mundësi për zhvillimin e një industrie të re, që mund të sjellë përfitime ekonomike dhe shëndetësore për vendin.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, tha se janë caktuar 10 zona të përshtatshme në të gjithë vendin, ndërkohë që theksoi se në Myzeqe dhe Korçë nuk do të lejohet ky aktivitet, pasi këto janë tokat më bujqësore në vend.
“Janë 10 zona Kadastrale që janë përcaktuar në bazë të studimi dhe janë të mirë përcaktuara dhe njëkohësisht në gjithë bashkërendimin e veprimeve, besoj që të gjithë udhëzuesit do ta përcaktojnë më së miri se si do vijojë procesi. Janë të gjithë Shqipërinë, por ka një kriter të domosdoshëm, janë të përjashtuar të gjitha zonat me intensitet të lartë bujqësore. Janë zona bujqësore, që janë jashtë vëmendjes të zhvillimit aktual të bujqësisë intensive dhe me një distancë nga shkollat, vendet e banuara, dhe gati 3 kilometra në distancë, ku bletaria sot zhvillohet”, – u shpreh Denaj.
VENDIMI
Vendimi është një pjesë e një strategjie të gjerë për kontrollin e kultivimit të kanabisit, me standarde dhe kufizime të qarta për zonat dhe parcelat ku do të zhvillohet ky aktivitet. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.61/ 2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave vendosi Ushtrimin e aktivitetit të kultivimit të bimës së kanabisit për qëllime industriale, në përputhje me kufizimet e përcaktuara në vendimin nr.50, datë 22.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e standardeve për zonat dhe parcelat e tokës në të cilat do të lejohet kultivimi i bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale”, – nënvizohet në vendim.
Sakaq, hyrja në fuqi e vendimit do të bëhet pas publikimit në QBZ. “Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit dhe subjektet e lejuara për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”, – përfundohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
STANDARDET QË DUHET TË PLOTËSOJË SUBJEKTI I LICENCUAR:
-Ambientet duhet të jenë të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave CCTV. Imazhet filmike të sistemit të kamerave duhet të ruhen të paktën për 90 ditë në NRV/Server dhe të paktën për një periudhë 1-vjeçare në memorie “Cloud” me vendndodhje në një nga vendet e BE-së.
-Sistemi i kamerave CCTV monitoron sipërfaqen, brenda dhe jashtë ambienteve të njësisë së prodhimit;
-Përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli).
-Në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, lidhja e sinjalit të alarmit, në nivel qendror dhe/ose vendor, me sallat e komandimit/informacionit të Policisë së Shtetit.
-Sipërfaqja ku ushtrohet aktiviteti ruhet 24 orë pa ndërprerje nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike që përfshin dhe shërbim reagimi me grup verifikimi sinjalesh. dh) Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të hapura ose të mbrojtura rrethohet nga jashtë me mur betoni të qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 (njëzet e pesë) cm dhe lartësi 4 m nga toka, mbi të cilin vendoset tel me gjemba.
-Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura, muri i jashtëm i godinës duhet të jetë mur betoni i qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 cm.
-Hyrja në ambientet e njësisë është e kufizuar dhe mundësohet përmes një porte hekuri që garanton aksesin vetëm për personat dhe mjetet e autorizuara, si dhe monitorohet nga sistemi i kamerave CCTV, të përcaktuara në shkronjën “a” të kësaj pike.
-Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar për sigurinë, i cili mban evidencë për çdo hyrje-dalje të personave, automjeteve dhe mallrave.
-Materialet teknike, të cilat garantojnë sigurinë dhe monitorimin, vendosen në një dhomë të veçantë të dedikuar brenda perimetrit të sipërfaqes ku ushtrohet aktiviteti, në të cilën ka akses vetëm personeli përgjegjës për sigurinë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente