Ka fituar simpatinë e dashamirësve për kolonën zanore në më shumë se 30 filma artistikë! Haig Zacharian dhe rrëfimi i kompozitorit për familjen e tij armene në Durrës

Ka fituar simpatinë e dashamirësve për kolonën zanore në më shumë se 30 filma artistikë! Haig Zacharian dhe rrëfimi i kompozitorit për familjen e tij armene në Durrës

Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, zhvilloi një lectio magistralis me titull “Rrëfim në dy kohë” me kompozitorin Haig Zacharian.

Veprimtarinë e hapi drejtori i QSA, akademik Stefan Çapaliku. Ai theksoi se Haig Zacharian-i është një kompozitor me karrierë të gjatë e të spikatur në muzikën shqiptare. Pasi foli për disa nga kontributet e Zacharian-it në muzikën klasike, përfaqësuar me romanca vokale e muzikë dhome, dhe në muzikën e filmit, akademiku Çapaliku e falënderoi kompozitorin për pranimin e ftesës në zhvillimin e kësaj veprimtarie si dhe premtoi se, për vitin 2025, QSA-ja do të vijojë serinë e lectio magistralis, me personalitete të artit dhe letërsisë.
Në fjalën e tij, dr. Edmir Ballgjati theksoi se tema e këtij bashkëbisedimi përbën një përsiatje retrospektive për rrugën krijuese të Haig Zacharian-it, ndërkohë që vetë kompozitori rrëfeu fillimet e jetës së tij artistike, të cilat përkojnë me ngritjen e shkollave muzikore në vend.
Prof. Zacharian u shpreh se nga prof. Arapi kishte mësuar disa nga sekretet e profesionit, veçanërisht kombinimin e fjalës me tekstin muzikor. Ai tha se Tonin Arapi ka qenë figura muzikore që e ka ndjekur gjatë gjithë krijimtarisë. Më tej u fol për karrierën në fushën e muzikës së filmit.
Zacharian-i rrëfeu episode të bukura nga komunikimi me regjisorët e njohur: Rikard Ljarja, Kujtim Çashku e të tjerë gjatë përgatitjes së kompozimeve për filmat “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Dorina”, “Përtej mureve të gurta”, “Njeriu i mirë”, “Dora e ngrohtë”, “I paharruari”, “Taulanti kërkon një motër”, “Flutura në kabinën time” etj.
Rrëfimi vijoi për punën që ka bërë me ansamblet amatore dhe kontributin që ka dhënë për kompozimin e muzikës për fëmijë. Kompozitori Zacharian rrëfeu se është përpjekur që krijimtaria e tij të tingëllojë sa më origjinale. Për këtë ai u është shmangur autorëve të huaj, sepse beson se muzika është e lidhur me jetën dhe botën që e rrethon vetë artistin.
Ai ka qenë i lidhur me melosin e botës shqiptare, muzikën që vjen që nga gjeneza. Profesor në Universitetin e Arteve dhe autor i dhjetëra veprave muzikore në një periudhë 50- vjeçare, Zacharian ka fituar simpatinë e dashamirësve veçanërisht për kolonën zanore në më shumë se 30 filma artistikë.
Në takimin e djeshëm që u organizua nga Qendra e Studimeve të ASHA, kompozitori durrsak iu përgjigj pyetjeve të dr. Ermir Ballgjatit, si dhe artistëve të shumtë, të pranishëm në sallën “Aleks Buda” të Akademisë. Rrëfimi i prof. Zacharian, nisi që nga rrethanat e familjes së tij armene në Durrës; mësimet e pianos me mësuesen Lili Tafaj, për t’u ndalur më gjatë në ndikimin e pedagogëve për formimin e tij në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve). Veçmas, ai vlerëson kompozitorin Tonin Harapi, pedagogun që “e dashuronte muzikën”. Lektori sjell një pasqyrë të qartë të zhvillimeve në periudhën e “realizmit socialist”, gjatë së cilës ai punoi për periudha të gjata kohe, që nga përgatitja e grupeve amatore në HC e Fierzës, formimi i nxënësve në shkollën “Mujo Ulqinaku” të Durrësit deri te kompozimet e interpretuara në Dekadat e Majit apo në filmat artistikë.
Biseda e prof. Haig Zacharian u shoqërua me komente të pjesëve muzikore, nga filmi “Ilegalët” i regjisorit Rikard Ljarja, bashkëpunimi i parë në “artin e shtatë”, deri te filmat e fundit me regjisorin Pluton Vasi. “Lectio Magistralis” është një cikël bisedash me artistë të shquar, që ka nisur në shkurt të vitit të kaluar, i ideuar dhe prezantuar nga drejtori i Qendrës së Arteve Stefan Çapaliku.
MUZIKA
Haig Zacharian i lind në Durrës, në gjirin e një familjeje me prejardhje armene. Nisi të mësojë piano dhe teorinë e muzikës në shkollën fillore të qytetit të tij të lindjes. Nga 1969-73 ai ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve) në klasën e kompozicionit me Prof.Tonin Harapi.
Pas diplomimit ka punuar si drejtues artistik i ansambleve amatore në H/C Fierzë, Tropojë (1973-1977).
Ai u kthye në Durrës në vitin 1977, ku vazhdoi punën me ansamblet amatore në pallatin “Rinia” të qytetit. Pas kësaj, nga 1980-86 ai u emërua mësues i lëndëve teorike në Shkollën e Muzikës “Jan Kukuzeli” të Durrësit. Ndërmjet 1986 dhe 1992 Zacharian punoi si kompozitor në krijimtari të lirë.
Në vitin 1993 ai u emërua shef i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit në Akademinë e Arteve Tiranë (sot, U.A) ku tani është As.Professor i Harmonisë dhe Kompozicionit. Që nga viti 1998-2009, ka qenë edhe President i Shoqatës Shqiptare të mbrojtjes së të drejtave të kompozitorëve dhe autorëve, ALBAUTOR.
Haig Zacharian ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës (vepra e tij janë luajtur në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si dhe jashtë: Kosove, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanje).
Ka kompozuar gjithashtu këngë për fëmijë, korale, muzikë filmash dhe aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme. Stili i muzikës së tij është i dallueshëm, me ngjyra të holla dhe me një sens të komunikimit të drejtpërdrejtë. Është vlerësuar me çmime të shumta për krijimtarinë dhe aktivitetet e tij muzikore.
Pas viteve 1990 krijimtaria e tij përveç filmave është kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës ku duken qarte tendenca të përdorimit dhe eksperimentimit në teknikat bashkëkohore të krijimtarisë muzikore.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente