“Janë 300 mijë qytetarë që do zgjedhin partitë e reja”- Endri Shabani: Ka disa votues që nuk duan t’ia shikojnë bojën as Berishës dhe as Ramës
Endri Shabani nga Nisma Thurje tha se partitë e reja po përballen me presionet e opozitës, e cila i konsideron si opozita e opozitës.
“Strategjia është bjeri me shkop që të vijë në koalicion”, tha Shabani në emisionin “Open” në News24.
Ai u shpreh se nuk ka bërë asnjë diferencë mes PD dhe PS-së, duke theksuar se të dy partitë e vjetra kanë përgjegjësitë për atë që kanë bërë në këto 34 vjet.
“Ne kemi çuar çështje në SPAK, në Gjykatë, kemi paraqitur nisma ligjore. Ata kanë një tjetër mënyre të të bërit opozitë. Pa asnjë diskutim që kjo qeveri duhet të rrëzohet”, tha Shabani.
Ai theksoi se “ai që do të votojë për Berishën zgjedh subjektin që drejton ai, ai që voton Edi Ramën e vendos kryqin te partia që drejton ai, por ka disa votues që nuk duan t’ia shikojnë bojën as Berishës dhe as Ramës”.
“Janë 300 mijë njerëz, që mund të zgjedhin partitë e reja. Nëse nuk do të jemi në garë, ata mund të rrijnë në shtëpi dhe nëse rrinë në shtëpi, Edi Rama fiton zgjedhjet”, tha Shabani.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi