Ish-polici që u plagos me thikë për vendparkimin ishte dënuar me 5.4 vite burg për kokainë! Trafik droge edhe drejt Greqisë, si bashkëpunoi ish-efektivi i “Shqiponjave” me trafikantët
Lavdosh Metaj, ish-efektivi i Shqiponjave që dyshohet se i plagos me thikë nga roja i një hoteli pasi refuzoi të paguante vendparkimin e makinës, u dënua me 5.4 vit burg për trafik droge nga Gjykata më 10 nëntor 2022.
41-vjeçari u arrestua më 12 qershor 2021 pas një operacioni të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në kuadër të hetimeve qe zhvilloheshin ndaj tij për shpërndarje kokaine ne Sarande dhe u dënua nga gjykata, por u lirua nga qelia rreth 3 muaj më parë pasi përfitoi nga Amnistia.
Lavodsh Metaj u godit me thikë rreth orës rreth orës 03:40 të mëngjesit të sotëm (11 korrik) në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës në një vendparkim nga 41-vjeçari me inicia;e A. SH., i cili u arrestua nga policia.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi L. M., kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i kërkimeve, pas disa orësh, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit: A. Sh., 41 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 03:40, në lagjen nr.1, në një vendparkim, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. M., 41 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Si bashkëpunoi ish-efektivi i “Shqiponjave” me trafikantët
Lavodsh Metaj, i cili u arrestua për shpërndarje kokaine në qytetin bregdetar, rezultonte i përfshirë edhe në trafikun e drogës në drejtim të Greqisë.
Në dosjen e Prokurorisë së Sarandës bëhej me dije se efektivi është përfshirë në trafikun e marijuanës dhe kokainës drejt shtetit grek.
“Nga informacionet e marra rezulton se punonjësi i Policisë, Lavdosh Metaj, merret edhe me aktivitetin e kundërligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit marijuanë dhe kokainë, të cilat i trans- porton nga qyteti i Fierit, ku ia sigurojnë dhe grumbullojnë këto lëndë persona të tjerë të afërm dhe me lidhje shoqërore ende të paidentifikuar”, thuhej në dosje.
Hetimet ndaj tij, kishin nisur pas informacioneve të SHÇBA-së në Vlorë dhe Gjirokastër për përfshirjen e forcave të rendit në këtë aktivitet.
U DENONCUA NGA KOLEGËT
Sipas dosjes së Prokurorisë, Lavdosh Metaj kishte 6 muaj që hetohej pas një materiali kallëzues që kishte ardhur në Prokurori nga vete kolegët e Komisariatit të Sarandës, për dy akuza, atë të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikeve” e kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i narkotikeve”, e kryer në bashkëpunim. Kallëzimi ndaj efektivit ishte bërë më 18 dhjetor 2020.
“Sipas informacioneve të përfituara nga shërbimet e SHÇBA-së, ka rezultuar se efektivi i Policisë, shtetasi Lavdosh Metaj merret me aktivitetin kriminal të ‘prodhimit dhe shitjes së narkotikëve’, kryesisht të kokainës në qytetin e Sarandës, ku në këtë aktivitet kriminal ky shtetas bashkëpunon edhe me persona të tjerë të cilët i sigurojnë lëndën narkotike, transportin e së cilës më pas e kryen vetë me automjetin e tij, të cilit i ka bërë dhe modifikime në vende të fshehta”, sqaronte Prokuroria.
Sipas dosjes hetimore, lëndën narkotike, efektivi e shpërndante në qytetin e Sarandës kryesisht gjatë muajve të verës, ndërsa organi i akuzës arriti të faktojë edhe lokalet dhe hotelet ku shitej droga.
BASHKËPUNOI ME KAMARIERËT
Një tjetër detaj në dosjen hetimore, ishte edhe fakti që efektivi ishte edhe vetë konsumues i lëndëve narkotike, ndërsa në lokale dhe hotele kishte shtrirë rrjetin e bashkëpunëtorëve.
“Gjithashtu, sipas të dhënave për shpërndarjen e lëndës narkotike, shtetasi i dyshuar bashkëpunon edhe me disa kamerierë të hoteleve të mëdha në Sarandë, të cilët i gjejnë dhe klientelën. Lëndën narkotike, i dyshuari ua jep atyre nga automjeti ku e mban për ta shitur”, thuhej më tej në dosje.
BLEU TJETËR APARTAMENT
Prokuroria theksonte se, një pjesë të dozave të kokainës 38-vjeçari i mbante të fshehura edhe në banesën e tij në katin e katërt të një pallati në Lagjen Nr.4 të qytetit të Sarandës.
Ndërkohë, ai kishte arritur të blinte edhe një apartament tjetër po në Sarandë, përveç jetës luksoze që bënte e dëshmuar kjo edhe në rrjetet sociale.
“Gjithashtu, dyshohet se nga zhvillimi i këtij aktiviteti kriminal, ky punonjës Policie ka akumuluar dhe pasuri të konsiderueshme, pasi sipas të dhënave ka blerë edhe një apartament tjetër në qytetin e Sarandës, i cili është në përfundim e sipër”, thuhej më tej në dosje.
Përveç se vetë, efektivi 38-vjeçar kishte përfshirë në aktivitet edhe persona të tjerë të rrethi familjar.
ARRESTIMI
Pas hetimeve të kryera për një periudhë disamujore, më 11 qershor, Gjykata e Sarandës lëshoi urdhërarrestin ndaj ish-efektivit Metaj, duke i lejuar Policisë edhe kontrollin e banesës.
Efektivët teksa e mbanin nën vëzhgim, rreth orës 19:45, e kishin konstatuar duke dalë nga banesa e tij, duke mbajtur në krah një çantë të llojit “marsup”, me ngjyrë të zezë. Në këto kushte efektivët e SHÇBA-së kanë ndërhyrë duke bërë ndalimin e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit janë konstatuar 11 doza të futura në qese plastmasi transparente të mbyllura me djegie në fundin e tyre, brenda të cilave kishte kokainë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit personal, të dyshuarit iu gjetën edhe një sasi të hollash prej 350 euro dhe 210.000 lekë (të vjetra), si dhe tre telefona.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi