![“Intelektuali përpiqet të fshehë gjurmët”, kreu i SPAK-ut tregon para deputetëve: Ja krimet korruptive më të vështirat për t’u hetuar](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2024/07/intelektuali-perpiqet-te-fshehe-gjurmet-kreu-i-spak-ut-tregon-para-deputeteve-ja-krimet-korruptive-me-te-veshtirat-per-tu-hetuar_66960b1d22e80.jpeg-730x440-lajmidites.com.webp)
“Intelektuali përpiqet të fshehë gjurmët”, kreu i SPAK-ut tregon para deputetëve: Ja krimet korruptive më të vështirat për t’u hetuar
VALENTINA MADAN/ Kreu i SPAK, Altin Dumani, u bëri dje të qartë deputetëve se nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe se të gjithë karrierën e tij e ka ndërtuar jashtë saj.
Teksa raportoi në Kuvend për raportin e SPAK për vitin 2023, Dumani theksoi se është një prokuror i Shqipërisë, që për momentin është i atashuar pranë Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion dhe që çdo ditë të punës përmbush detyrimet e tij ligjore. “Unë nuk jam pjesë e politikës, nuk kam asnjë lloj lidhjeje me politikën. Të gjithë karrierën time e kam ndërtuar të tillë, jashtë politikës dhe besoj se ka qenë një karrierë shumë normale duke kaluar të gjithë hallkat e sistemit, duke angazhuar në funksione, në detyra të vështira, por kudo që më ka rënë rasti të punoj, jam përpjekur të bëj më të mirën time. Patjetër që edhe ne mund të gabojmë, por jo qëllimisht, asnjëherë. Por që të jem unë i lidhur me politikën, as që bëhet fjalë. Unë jam thjesht një prokuror i Republikës së Shqipërisë, që për momentin jam i atashuar pranë SPAK dhe që përpiqem të përmbush detyrimet e mia ligjore, kushtetuese çdo ditë të punës time”, – deklaroi Dumani.
Prokuroria e Posaçme do të hapë zyrat e veta në rrethe, pasi të jetë i plotësuar në organikë. Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PS-së, Denis Deliu, përse SPAK nuk hap zyrë në qytetet me kriminalitet më të lartë, Altin Dumani u shpreh se do të vijë momenti që këto zyra në rrethe të hapen ku do të punojnë oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe joprokurorë. “Do vijë dhe momenti që mund të hapen jo me prokurë, por me oficerë të BKH që mund të hapen zyra edhe në rrethe. Pasi të kalojë koha, pasi të kemi dhe numrin e nevojshëm të njerëzve në dispozicion, do shikohet dhe procedohet edhe me hapjen e zyrave të SPAK në rrethe. Është një proces kërkon kohën e vet”, – u shpreh kreu i SPAK.
HETIMET
Kreu i SPAK, Altin Dumani, evidentoi se krimet me natyrë korruptive janë shumë të vështira për t’u hetuar pasi kryhen nga persona në detyrë, intelektualë. Dumani vuri në dukje se intelektualët para se të kryejnë krimin, përpiqen të fshehin gjurmët apo shfrytëzojnë hapësirat ligjore me qëllim kryerjen e tij. “Si drejtues kam ofruar ndihmën time duke krijuar grup hetimor, duke shtuar numrin e hetuesve për çështjen konkrete. Gjatë 2023-shit ka pasur ecuri. Hetimi i çështjeve nuk është aq i thjeshtë sa prezantohet. Hetimi është i vështirë, sidomos kur vjen puna tek çështjet me natyrë korruptive. Krimet e natyrës korruptive janë krimet më të vështira për t’u hetuar sepse është një krim në detyrë, një krim intelektual dhe intelektuali para se të bëjë krimin, përpiqet që të fshehë dhe gjurmët e tij apo shfrytëzon hapësirat ligjore me qëllim kryerjen e krimit. E njëjta logjikë edhe për grupet e krimit të organizuar dhe hetimi i tyre paraqet vështirësi”, – deklaroi Dumani.
Në lidhje me hetimin për inceneratorët, Dumani vuri në dukje se po hetohet përfshirja e çdo personi teksa theksoi se është çështje komplekse. “Çështja është në hetim paraprak. Kemi bërë herë pas here me dije publikun për ecurinë dhe zhvillimet e hetimit sa herë ka pasur rast për të vënë në dijeni publikun. Është në hetim paraprak dhe vijon të hetohet përfshirja e çdo personi. Është shumë kompleks si hetim”, – theksoi Altin Dumani.
Sipas tij, krimi i organizuar shqiptar, ndër më të fuqishmit në botë. “Paçka se hetojmë krimin e organizuar, sot për të qenë realist ndër më të fuqishmit në botë dhe një nivel të sofistikuar subjektesh, masa e arrestit në burg në kërkesat tona zë vetëm 49% të totalit për të cilat është kërkuar një masë sigurie. Aktualisht, numri total i të paraburgosurve nëpër institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nga SPAK zënë vetëm 8.5% në raport me numrin e përgjithshëm të të paraburgosurve në Shqipëri”. Për vitin 2023, veprimtaria e SPAK ka njohur një rritje cilësore, e cila është mirëpritur nga shoqëria shqiptare dhe komuniteti ndërkombëtar.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi