Inaugurimi i Namazgjasë, Berisha: Të bashkohemi kundër atyre që kërkojnë të nxisin ndasira fetare për qëllime politike! Mungesa e kreut të KMSH…

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në tubimin te “Rruga e Shpresës”, ka komentuar inaugurimin nga Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, ku tha se ishte ofendim për besimtarët mysliman mungesa në ceremoni e kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

“Mungesa në ceremoni të udhëheqësit të besimtarëve myslimanë, kryetarit të KMSH, ishte një ofendim për çdo besimtar. Por, Edi Rama është i angazhuar në mision për të përçarë fenë dhe besimet”, tha Berisha.
Më tej, ai u shpreh se PD dënon aktet të tilla dhe u garantoj besimtarëve se kjo parti në respekt te besimeve fetare, do i përmbahet parimit të Kushtetutës, të ndarjes së shtetit nga feja.
“I bëj thirrje sonte të gjithë besimtarëve, pa dallim feje të bashkohemi kundër atyre si Edi Rama që kërkojnë të nxisin ndasira fetare për qëllime politike”, theksoi ai.
Berisha:  Të dashur miq, sot për komunitetin mysliman shqiptar ishte një ditë e veçantë. U inaugurua Xhamia e Namazgjasë. U inaugurua në tokën e Komunitetit Mysliman, të konfiskuar nga regjimi komunist dhe të rikthyer nga PD.
Edi Rama e pengoi 11 vite sa qe kryetar bashkie dorëzimin e pronës komunitetit mysliman. Por më në fund, xhamia e madhe e Tiranës nisi ndërtimin me 17 prill të vitit 2013. U deshën 11 vite të përfundonte. E ndërpreu dhe e bllokoi sapo erdhi në pushtet, etj, etj. Por unë sot kam mirënjohje për të gjithë ata që me bujari financuan ndërtimin e saj. Thirrja ime për Komunitetin Mysliman Shqiptar është të përçmoni, të hidhni poshtë përpjekjen diabolike të Edi Ramës për përçarjen tuaj. Përdorimin e xhamisë, tempullit të lutjeve ndaj Zotit, për të përçarë komunitetin mysliman.
Mungesa në ceremoni e udhëheqësit shpirtëror të besimtarëve myslimanë, kryetarit të KMSH, ishte një ofendim për çdo besimtar mysliman. Por Edi Rama është i angazhuar në mision për të përçarë fetë dhe besimet. Tre javë më parë, sikur të ishte i biri i Ajatollah Komeinit, shpalli në OKB krijimin e shtetit bektashi. Tre javë më parë, nuk fton kreun e KMSH, të zgjedhur nga vetë komuniteti.
Në emër të PD dënoj këtë akt, por garantoj besimtarët se kjo parti në respekt të plotë të lirive fetare, besimeve fetare, do i përmbahet kushtetues të ndarjes së shtetit nga feja. Do respektojmë me admirim të madh tolerancën fetare dhe bashkëveprimin ndërfetar si vlerat më të arrira të shpirtit shqiptar.
A e dëgjuat sot harapin e Presidencës tek kërkonte zyra për vete mikut të ardhur, se nuk i mjaftonin 500 metër katror. A ka gjë më të turpshme?! I kërkon Presidentit turk t’i ndërtoj presidencën dhe nuk kërkon mbështetje financiare për pensionet, sigurimet shëndetësore. E ka ermin Bajram, por duket ta ketë Haram. Ndjek rrugën e Edi Ramës. Shpalli ditë më parë ndërtimin e katër kullave me pretekstin që do ketë kate për ministritë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi