“I arratisuri” i Taip Sulkos, romani i njerëzve me shpirt të lirë! Rrëfimtar i një bote “magjike” në arealin myzeqar nga Tomori në Ardenicë

“I arratisuri” i Taip Sulkos, romani i njerëzve me shpirt të lirë! Rrëfimtar i një bote “magjike” në arealin myzeqar nga Tomori në Ardenicë

NDUE DEDAJ/ “I arratisuri” (“Naimi”, 2024) ngjan se është libri i jetës i autorit, i cili nuk na shfaqet si një protagonist, por si rrëfimtar i një bote “magjike” në arealin myzeqar nga Tomorri në Ardenicë, në një rrëfim të gjatë, të shtruar, gjithë larmi e gjallëri njerëzore të panjohur nga lexuesi. Gjithçka nis nga Anadelli, një qytezë e vogël, “por me një përndezje aq të trazuar e të përhershme”. Që në krye të herës, Ermiri, në fillim fëmijë, pastaj i ri, na zbulon kredon e tij, ikjen e vazhdueshme, “unë isha një ikanak i madh, fëmijëria ime ishte e mbushur me arratisje. Ikjet e mia kanë ndodhur për arsye nga më të pa mendueshmet”, “prej të këqijave dhe frikës” etj.

Vetëm pak faqe më tej lexuesi sheh se si i plotfuqishmi (njeriu i ligjit) e rreh atë dhe fëmijët e tjerë në zyrën e tij, ngaqë policit i ka humbur revolja dhe ata nuk dinë gjë për të. Autori na e zbulon pak nga pak hapësirën ku thuret episod pas episodi romani, përmes rrëfimit të Ermirit, shtegtar i një natyre tjetër nga të zakonshmit, gërshetimit me rrëfimet e të atit etj. Ai lëviz nga një fshat në tjetrin, në fillim nga Anadelli i tij deri te Fshati i Ciganëve, pastaj Kroinjelmi, Pllana e Kuqe, Skela e Vjetër, udhëtimet me Teatrin etj.
Dashuria është një lajtmotiv i romanit. Ndër faqet më të bukura janë ato të rrëfimit të Mentarit për dashurinë e tij me Anjën, gjysmëcigane, përcjellja e fjalëve të saj për atë dashuri, që kulmojnë: “Po të martohemi ne do të bashkojmë dy gjysma botësh që nuk përputhën. Nuk është faji ynë pse ato janë ende kaq larg, kaq të ndryshme, kaq penguese dhe ndonjëherë edhe fyese për njëratjetrën”. (f.111) Ky është një nga kumtet e librit, për t’i parë ndryshe marrëdhëniet me një komunitet të vjetër banorësh të ardhur herët nga vendet aziatike dhe rrojnë në periferi të qyteteve, në baraka. Nuk është vetëm kjo dashuri në roman, por dhe ajo mes Sidritës dhe Ermirit, i cili thotë se ajo “kishte gjithnjë me vete çelësin e haresë së shpirtit tim”, etj.
Është veti e stilit të autorit ta kalojë personazhin e tij dhe gjithë korpusin e ngjarjeve, nga një gjendje në tjetrën, si një mot herë i vranët e herë i kthjellët. Ermiri nuk i duron lajmet e çuditshme të Anadellit të tij me “prerje veshësh” etj. dhe krisën e ikën përsëri. “Ika i dëshpëruar. Doja të ikja. Dola të bredh anës së lumit. U ula i vetëm. Agimi dhe Luani (shokët e tij) nuk ishin vërdallë… Shëtisja anës së Lunjës. Aty buzë, buzë ujit, ndihesha më mirë, sikur isha pranë një të njohuri, me të cilin mund edhe të flisja”. (f. 135.) Ecën, takon njerëz dhe histori, duket se nuk mund të rrojë pa to, ndonëse shumë prej tyre i japin zhgënjim, si ajo e gruas që pasi ka çmendur të shoqin me dashurinë e saj për një tjetër, ka hyrë në Manastir dhe bën jetë murgeshe. Romani është i mbushur plot me ndodhi të pazakonta, që janë gërshetuar natyrshëm në tekst, përmes kapitujve linearë dhe atyre të ndërmjetëm, që në vetvete përbëjnë një strukturë interesante narrative.
Kujtesa i ndërlidh episodet e shkuara dhe ato të ditës, Ermiri kujtohet se gjatë një vizite me klasën në Tiranë, është peshuar në anë të sheshit Skënderbej nga një grua më fytyrë të bronztë që ngjante si shtatore, ndërkohë që në vazhdën e arratisjes së tij, një çast i “prin” Leka, njëri nga lajmëtarët e ushtrisë së Skënderbeut. Ecja nëpër pyll, aq sa të bën Ermirin zbulues të së panjohurës, aq dhe e përball me të papritura të këndshme e të pakëndshme, pasi diku i duhet të mbysë një gjarpër që mund ta sulmojë, diku tjetër të kërkojë gjithë paraditen një burim uji për të shuar etjen, por që në vend të tij has në Qoftëlargun: “Mos është Qoftëlargu? – mendova. Ai syri i ndezur ishte shumë i frikshëm dhe se si shikonte me të keq, si Djall. Fillova prapë të përtypem dhe të mos përcillem dot. Mos ai Qoftëlargu ka marrë trajtën e një kukulle që unë ta prek, ta marr dhe ai të më ngrijë, të vdes këtu në vend, në mes të pyllit? Ula sytë poshtë se po më merreshin mendtë…” (Qoftëlargu do t’i përhihet dhe herë të tjetra protagonistit të romanit, si për të na thënë se e keqja, që shkakton makth, është njëlloj bashkudhëtari pashmangshëm i njeriut.)
Përshkrime të tilla origjinale e bëjnë leximin tërheqës, intrigues dhe tekstin domethënës. Përnjëherësh të shkon mendja të njëlloj braktisje e natyrës nga fëmijët dhe të rinjtë e sotëm dhe kështu përftohet një mesazh i romanit. Autori na thotë se magjia e natyrës, e kërkimit nuk ka humbur. E veçanta e kësaj është se autori nuk na shpie në rrjedha e mjedise të zakonshme, por të panjohura nga ne. Djaloshi i arratisur, duke jetuar një përvojë të re, nuk zbulon vetëm mjedise, ngjarje, njerëz, gjera të panjohura, por ai ashtu “zbulon” dhe vetveten, pasi është i detyruar të kalojë nëpër prova dhe sprova nga më të ndryshmet. “Një shtysë e fortë rrihte të dilte nga brenda meje, të gjente kufij të rinj. Pse isha aty, kush isha unë, një ikanak i marrë, apo një njeri që lufton me marrëzi për të mirën e vet? Kisha shumë pikëpyetje. Pse aty në pyll, gjërat më ngatërroheshin dhe s’e dalloja dot saktë se cila ishte e mira e cila e keqja, pse s’e dalloja dot vijën ndarëse mes tyre? Sikur s’e njihja veten…” Ky është thelbi i romanit. Pa njohur vetën, nuk mund të njohësh të tjerët. Ky kumt i drejtohet njeriut të tranzicionit, veçmas të rinjve të sotëm. Një meditim, një bisedë me vetveten, është përherë e nevojshme, jo vetëm dje, kur njeriu ishte në kërkim të lirisë.
Tri shpalime do të ishin mbase sinteza e këtij romani, situatat sa të zakonta aq të pazakonta të një botë sureale, karakteret e përveçëm të personazheve që “arratisën” nga e zakonshmja mbytëse dhe gjuha e spikatur ligjërimore e tekstit. Është arratisja si procedim që zbulon magjinë e një jete të panjohur myzeqare. Zakonisht shkrimtarët kërkojnë rrethana tipike dhe personazhe tipike, kurse Taip Sulko zbulon mrekullisht vendin e vet fushor me gjole, që nuk është një reliev malësor epik, me orë e me zana, por me lauresha si Anja, vajza cigane që e lakmojnë burrat me e pa mustaqe të Anadellit, si Lal Rrapi e Mentar Shelgu, që sa ç’janë të ndryshëm, aq janë dhe alterego të njëri – tjetrit. Autori sa i përcakton si karaktere, aq dhe i lë të papërcaktuar, duke nënkuptuar se njeriu është në vetvete i pazbërthyeshëm në elemente, si një metal. Portretizimi i Anjës, nga ana tjetër, është një prurje në galerinë e karaktereve të prozës shqiptare. Spikasin të gjithë karakteret e personazheve, si portrete të një ekspozite surealiste, Radiopërhapja, I Plotfuqishmi, Memeci i Malajt, (ish) prifti Halë Kryevidhi, me një fund tragjik të paimagjinueshëm, Edlira që luan Ofelinë etj.
Autori për të thënë gjënë e vet autoriale ka shmangur të gjitha klishetë dhe tabutë. Kështu për herë të parë kemi një mësuese jo edukatore si Sosja, një djalë si Ermiri, i cili nuk e gjen veten në rrethinën e tij, por ikën, kthehet, ikën dhe prapë ikën, domethënë arratiset. Edhe pasi ai ka shijuar puthjen e Sidritës, në arratisjen e tretë të tij, sërish është në kërkim të vetes, fatit, lumturisë. Një lundrim mahnitës i njeriut brenda vetes. “Ecja ngadalë, pa ndonjë qëllim rrugëve të Anadellit. Isha vetëm. Edhe pse rruga ishte e qetë, mendimet e mia përziheshin e përplaseshin si rrugaçë që grinden. Sidrita ishte kthyer në shtëpinë e vet, Teatri pa fjalë i Engjëllit nuk kishte ndërmend të vinte së shpejti në Anadell, ndërsa në kinema jepeshin vetëm filma të përsëritur. Ndjehesha i mërzitur, si i ligështuar. Kështu më ndodhte sa herë më merrte malli për ndonjë gjë të re, për ndonjë ikje, për arratisje. Diçka kërkoja, pa e ditur se çfarë. Zieja kot me vete, si i vënë sipër zjarrit…” Më tej: “Çfarë dhe kë të besoja? Të gjithë dhe asnjë? Ajo vetvetja ime e thellë më dukej si një majmun që hidhet sa në një degë në tjetrën, i prekte të tëra, por askund nuk mund të qetësohej, të mbështetej plotësisht dhe përfundimisht”. (f. 246). Ky nuk është njeriu i ri, nuk jeton realitetin propagandistik të së djeshmes, gjithë parulla dhe emulacion. Është një njeri jashtë kohës. Nuk e bën këtë për duk, për t’iu thënë të tjerëve se është ndryshe nga ata, aq më pak për ndonjë kundërshti ideologjike, por thjeshtë se don të jetojë jetën e tij dhe jo të kolektivit. Romani, në këtë kuptim, nuk ka korniza, se ku mund të përfshihet njeriu, as kanune. I vetmi ideal e qëllim i tij është liria e individit si qenie njerëzore.
Sidrita i jep ngjyrë e dashuri romanit dhe kuptim jetës së djaloshit ëndërrimtar: “Sidrita vraponte e qeshte e unë pas saj nxitoja si një zog që ka në kthetra zemrën e vet… Papritur u përplasëm. Sidrita mbështeti kryet pas meje duke qeshur. Ndieja frymën e saj të ngrohtë në parzmin tim, në kraharor, afër zemrës… Ia putha flokët… (Ajo) ma kapi kryet më dy pëllëmbët, më tërhoqi pas vetes dhe më puthi në buzë… Edhe unë ia vura duart mbi flokë dhe e tërhoqa pas vetes. E putha ëmbël… Ja, kjo është jeta, mendova, s’doja më shumë, kaq ishte mjaft…” (f. 274.)
Taip Sulko përmes këtij romani i ka dhënë një kuptim të ri fjalës i arratisur, që në ligjërimin shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur kryesisht kuptimin e të arratisurit nga atdheu për motive politike, për të mos u kthyer më. Kurse këtu kemi arratisjen brenda për brenda vendit, duke e ç’mitifikuar këtë fjalë të vokabularit politik. Taip Sulko është poet dhe është e natyrshme gjuha poetike e prozës së tij. “Isha vërtet nëntëdhjetë e nëntë vjeç dhe me telefonin në dorë po flisja me një të panjohur që kishte shkruar jetën time… Mos isha në çastet e mia të mbrame dhe kisha filluar të rrëfehesha, të shpaguaja për të këqijat që kisha bërë në jetë?… Jeta ime kishte ndryshuar dhe, po ashtu, dhe rrëfenja ime për të… Më ra ndër mend se në fëmijëri nuk isha arratisur një herë, as tre, flas për arratisje të mëdha, por të paktën katër apo pesë herë… Këto arratisjet se si më mjegulloheshin e treteshin dhe ngatërroheshin pahetueshëm dhe rrëshqitshëm, si tej mjegullës…” (f. 55).
Lirisë nuk i mjafton vetëm shpirti i lirë i individit, por dhe sakrifica vetjake dhe familjare për ta mbërritur atë, e cila mishërohet në figurën engjëllore e disidente të Engjëllit, poetit, artistit të Teatrit, aktorit që luan Hamletin – përshkruar në kapitujt e fundit të romanit me dramacitet dhe emocion, si një medalje mirënjohje e qendresës së tij dhe të vetë Anadellit, që e përshkon burgimi politik, internimi, po ku nuk vdes shpresa.
Kur themi libri i jetës i autorit, kjo është një metaforë, në kuptimin e një libri përfaqësues të tij, por jo se autori ka kryer punë me librin e tij të jetës, që mund të jetë disavëllimësh dhe shumëplanesh, me fjalë të tjera, gjithë krijimtaria e tij. Autori, me mbylljen e këtij romani, ka paralajmëruar nisjen e një tjetri në vijim të tij, që do të na thotë dashurinë e njeriut, atë për çka ai vjen në këtë botë.
Romani shqiptar i këtyre dekadave ka shpalimin dhe rritjen e tij, edhe pse mungon një vështrim kritiko-letrar për të; aq më tepër nuk mund ta bësh këtë ti si lexues, por gjithsesi në romanet e suksesshëm të autorëve bashkëkohorë, që kanë qëndruar në tryezën tënde të leximit, “I arratisuri” i Taip Sulkos rri denjësisht mes tyre.
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente