Gjykata e Posaçme dënon me 2.8 vite burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg Vagjush Dakon, ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit.
Nërsa Fiqiri Farruku, Ardian Bulku dhe Fatmir Ejupi u dënuan me nga 2 vite burg, por gjykata ka vendosur pezullimin e denimit të dënimit me burg për të tre.
Ndaj ish-kryebashkiakut socialist, SPAK kërkoi dënimin e Vangjush Dakos për “shpërdorim detyre” në dy raste dhe ka kerkuar 4 vite burgim.
Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar Vangjush Dako u dënua me 2.8 vite burg.
Dako u përfaqësua nga avokati i tij, Petrit Ismaili, i cili gjatë konkluzioneve përfundimtare kërkoi pafajësi ose në rast të shpalljes fajtor kërkoi pezullim te ekzekutimit të dënimit me burg.
Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste.
Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.
AKUZA E SPAK PËR SHËTITOREN
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme ka rezultuar se në vitin 2014 Bashkia Durrës ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Me Urdhrin Nr. 84 datë 11 Shtator 2013 protokolluar me Nr. 4151 Prot., në të njëjtën datë, është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike.
Ky grup është ngarkuar me detyrën për të përgatitur: detyrën e projektimit, fondin limit, termat e referencës si dhe te gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi. Nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 444 datë 05 Shtator 1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”.
Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa vetëm për 60% të vlerës totale. Edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë, Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin dhjetor 2015, ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej 18.318.400,2 lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi