
Gjon Mili, si u kthyen fotot që i bëri gjeniut Pablo Pikaso në ikonë! Krijoi imazhe që duken si vizatime në ajër
Në librin e Perlat Çaushit me titull “Kush e vrau Mehmet Shehun? Refleksione për një vrasje që i dëgjohen ende krismat”, pikërisht kjo e bën interesante dilemën e tij deri në ditët e sotme.
Në mesin e shekullit XX, Gjon Mili i dha një dimension të ri fotografisë, duke përdorur dritën si një penel për të krijuar figura magjike në errësirë. Me një dritë të vogël në dorë dhe duke u përdorur ekspozimet e gjata, fotografi shqiptar arriti të krijonte imazhe që duken si vizatime në ajër. Fotot që Gjon Mili i bëri gjeniut Pablo Pikaso, u kthyen në foto ikonë të kësaj risie në lëmin e fotografisë. Eksperimentet me dritën që Gjon Mili realizoi së bashku me piktorin e madh, u realizuan në vitin 1949. Artisti spanjoll përdori dritën për të krijuar figura të mrekullueshme, ndërsa Mili i shndërroi ato në fotografi. Kjo teknologji revolucionarizoi botën e fotografisë dhe ndikoi në shumë artistë gjatë dekadave që pasuan.
Muzeu i Fotografisë “Gjon Mili” në Korçë mban të gjallë këtë trashëgimi të çmuar, duke ftuar vizitorët të zbulojnë se si magjia e punës së tij vazhdon të frymëzojë edhe sot. Mili përdori për herë të parë “fleshin elektronik” dhe “dritën stroboskopike”, të shpikura nga profesori Harold Edgerton më 1931, me të cilin ai bashkëpunoi gjatë. Në vitin 1937 mori titullin profesor. Ndërkohë Mili, bashkë me studimet dhe eksperimentet në fushë të teknikës, vazhdoi të fotografonte, duke u dalluar përherë e më shumë edhe në lëmin artistik. Fotografitë e tij me ekspozim ultra të shkurtër, përbëjnë një nga dukuritë më interesante të lidhjes së shkencës me artin.
ARTI I MILIT
Rëndësi të madhe në jetën e Milit pati njohja dhe miqësia me Faik Konicën, i cili e nxiti të drejtonte dhe të thellonte krijimtarinë e tij në fushë të artit. Për 15 vjet Mili ka punuar si fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”. Në vitin 1946 u hap në Paris ekspozita e tij vetjake. Filozofi Jean Paul Sartre shkroi për këtë ekspozitë lavdërime të veçanta: “- Mili iu vë tërësisht në grackë, në fotografitë e tij gjendeni në luftë me vetveten – si i zënë në kurth”. Në vitin 1942 Mili kishte fotografuar predhën e një topi avioni kalibër 37 mm, me një kohë ekspozimi prej një të miliontën pjesë të sekondës.
Kjo foto u quajt nga shtypi i kohës “shpikje e shekullit”. Po atë vit hapi ekspozitën vetjake “Valltarët në lëvizje” në Muzeun e Artit Modern (MOMA) të Nju Jorkut. Në vitin 1949 krijoi një seri fotosh me Pikason në Valori të Francës. Ndër to ishte edhe ajo më e njohura, me titull “Pikaso duke vizatuar me dritë”, që gjendet në shumë albume të ajkës së fotografisë botërore. Më 1952 hapi ekspozitën kushtuar Pikasos në Galerinë e Parisit. Mori pjesë edhe në ekspozitën kolektive më të madhe të fotografëve të shekullit të kaluar me emrin “Familja e njeriut”, hapur në Nju Jork me 1955. Këtu Mili u përfaqësua me foton “Nudo duke zbritur shkallët”. Në vitin 1970 u botua në Nju Jork album-monografia e tij “Picasso’s third dimension”. Dhjetë vite më vonë, më 1980 Shoqata “New York Graphic Society” botoi “Gjon Mili – Photographs & Recollections” (Gj. Mili – fotografi e kujtime).
KARRIERA
Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me skenar të vet gjashtë filma dokumentarë. Veprimtaria artistike e fotografit Mili përfshin me sukses shumë zhanre të fotografisë si peizazhin, reklamën, foton dokumentare, politike, atë të arteve (teatër, kinema, koncerte, vallëzime etj.), sportive, eksperimentale etj. Ai ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski, dramaturgun Sean O’Kejsi, piktorin Brak, pianistin Rubinstein, dramaturgun Jonesko, violonçelistin dhe dirigjentin Kazals, piktorin Matis, këngëtaren Zhyljet Greko, aktoren Helen Vajgel, këngëtarët Frank Sinatra dhe Pol Robson etj. Po ashtu, ai ka fotografuar politikanë të njohur të kohës si Presidentin Truman, Ministrin Molotov, Lordin Halifaks e shumë të tjerë.
Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes. Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit 1994, në Haëard Greenberg Gallery të Nju Jorkut u paraqiten punë të bëra prej tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në lëmë të fotografisë dhe filmit. Ai mbeti gjatë gjithë jetës një amerikan me origjinë shqiptare, duke mos ndryshuar shumë gjëra, që nga emri i tij, të cilin e shkroi gjithmonë “Gjon”, duke thënë vet se “ai shkruhet dhe lexohet kështu vetëm në Shqipëri”, kombësinë dhe sidomos përdorimin e gjuhës shqipe të cilën e fliste dhe e shkruante saktë e bukur. Gjon Mili vdiq në Stamford, Connecticut, ShBA më 14 shkurt të vitit 1984./ Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi