
“Galeria e Artit Bashkëkohor Tiranë” sjell Mesdheun në kryeqytet
“Mediterranea – Vizionet e një deti të lashtë dhe kompleks” është ekspozita më e re që u hap këtë të mërkurë në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë, një hapësirë e krijuar nga Fondacioni Mane, që ofron mundësi për zhvillimin e artit pa kosto për artistët dhe falas për publikun.
Kjo ekspozitë shumëdimensionale vjen si një bashkëpunim mes Fondacionit MANE dhe Institutit Italian të Kulturës dhe ka për qëllim të pasqyrojë historinë, bukurinë dhe mitet e Mesdheut përmes shkrirjes së imazheve të marra nga agjencitë hapësinore dhe veprave të lashta të artit.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm veç artdashësve edhe Samir Mane, themeluesi i Fondacionit MANE së bashku me Ambasadorin italian në Shqipëri, Marco Alberti.
Samir Mane, e cilësoi Galerinë së Artit Bashkëkohor Tiranë si një hapësirë ku arti dhe kultura mund të zhvillohen pa kufizime, duke ofruar mundësi për ata që dëshirojnë të promovojnë vlerat përmes artit cilësor. Ai nënvizoi misionin e Fondacionit Mane për të mbështetur artistët në ekspozimin e veprave të tyre, duke e bërë të mundur që kjo galeri të funksionojë.
Ndërsa Ambasadori italian, Marco Alberti, gjatë fjalës së tij, theksoi kontributin e Fondacionit MANE dhe Galerisë së Artit Bashkëkohor Tiranë në zhvillimin dhe pasurimin e jetës kulturore në Shqipëri. Kryediplomati falenderoi Presidentin e Fondacionit MANE, Samir Mane për përkushtimin e tij ndaj artit dhe për mundësinë që Galeria GOCAT ofron.
Ekspozita “Mediterranea”, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun pa pagesë deri më 31 mars në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë, është një mundësi e jashtëzakonshme për të eksploruar jo vetëm historinë dhe mitologjinë e Mesdheut, por edhe lidhjet e thella dhe të pasura që ky rajon ka ndihmuar në krijimin e një identiteti kulturor të përbashkët dhe të pasur. Ky udhëtim artistik, i pasuruar me imazhe dhe vepra, shpalos unitetin dhe trashëgiminë kulturore të rajonit.
Para hapjes në Tiranë, “Mediterranea” ka qenë e hapur në Valencia dhe ka udhëtuar nëpër gjithë Mesdheun. Kryeqyteti shqiptar është stacioni i fundit para se ekspozita të kthehet në Romë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi