Flamur Noka pas revokimit të masës ndaj Berishës: Lideri i PD-së, i lirë falë qëndresës së demokratëve
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është shprehur se revokimi i masave ndaj Sali Berishës, tregon se kush qëndron dhe kush lufton për të drejtën do vijë një moment që do triumfojë dhe fitojë.
“Sot, lideri i PD dhe i opozitës është i lirë falë qëndresës së demokratëve”, tha ndër të tjera Noka, duke shtuar se “e vërteta vonon, por kurrë nuk harron”.
Deklarata e Nokës:
“Sot është një ditë shumë e bukur. Kjo ditë ka një domethënie: liria gjithmonë ka një çmim.
Demokratët dhe Sali Berisha si lider i demokratëve e ka paguar me të padrejtë çmimin e lirisë më shumë se kushdo tjetër në këtë vend.
Por kjo ditë tregon se kush qëndron, kush lufton për të drejtën dhe të vërtetën do vijë një moment që do triumfojë dhe fitojë.
Demokratët kaluan një kalvar të pashoq nga regjimi dhe mafia ndërkombëtare e Xhorxh Soros.
Drejtësia nën kthetrat e Soros bëri gjithçka për të likuiduar këtë forcë dhe liderin e saj.
Sot, lideri i PD dhe i opozitës është i lirë falë qëndresës së demokratëve.
Falë rezistencës së tyre.
Falë përballjes së tyre.
Falë luftës së tyre.
Falë edhe të vërtetës.
E vërteta vonon, por kurrë nuk harron.
Presioni i opozitës dhe qytetarëve e detyroi narkodrejtësinë t’i japë fund një sage vuajtjesh për opozitën dhe izolimi për liderin e saj.
Drejtësia e Xhorxh Sorosit apo narkodrejtësia nuk ka ndryshuar asgjë. Qëndresa, lufta, rezistenca, presioni i pareshtur i demokratëve e detyroi dhe e gjunjëzoi këtë narkodrejtësi.
Pra, kjo është ajo që mund t’u them.
Drejtësia e Sorosit apo narkodrejtësia e pa që Strasburgu po çelte dritën jeshile dhe do rrëzonte të gjithë vendimet e narkodrejtësisë dhe u ngut në tentativë për të shpëtuar fytyrën e vet.
Asgjë më shumë.
Strasburgu do i çirrte maskën narkodrejtësisë së Sorosit në Shqipëri, prandaj u ngutën për të larë atë që kishin përmjerë deri tani.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi