Festa e 7 Marsit, Spiropali uron mësuesit: S’janë thjesht profesionistë, por misionarë! Nuk do të kursehemi të rrisim pagat e tyre

Festa e 7 Marsit, Spiropali uron mësuesit: S’janë thjesht profesionistë, por misionarë! Nuk do të kursehemi të rrisim pagat e tyre

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka uruar festën e 7 Marsit, duke u shprehur se mësuesit nuk janë thjesht profesonistë, por misionarë.

“Të mësuarit është çelësi më i rëndësishëm për progresin, mirëqenien dhe zhvillimin”, shprehet kryeparlamentarja.
Ndaj thekson ajo, nuk do të kursehen për rritjen e pagave të mësuesve, duke theksuar se do të vijojë rritja e investimeve për arsimin, shkollimin, edukimin qytetar dhe formimin shkencor.
 
Postimi i plotë:
Sot është 7 Marsi, Dita e Mësuesit, profesionit që formëson të gjitha profesionet e tjera.
Thënia e Konfucit “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit janë të pamatshme”, është një mësim universal për të gjitha kohërat.
Pas çdo historie suksesi, ka pasur një mësues që ka ndezur kureshtjen, ka nxitur ambicjen dhe ka forcuar besimin.
Mësuesit nuk janë thjesht profesionistë, por misionarë, të cilët, mbi të gjitha, motivojnë e frymëzojnë.
Sepse të mësuarit është çelësi më i rëndësishëm për progresin, mirëqenien dhe zhvillimin.
Prandaj nëse dëshirojmë t’u japim shumë shanse fëmijëve tanë, t’u japim më parë një shans mësuesve të Shqipërisë.
Atyre që punojnë jo për t’u pasuruar, por për të ndërtuar jetët e fëmijëve tanë, që frymëzojnë me modelin dhe shembullin e tyre.
Prandaj ne nuk kursehemi, dhe nuk do të kursehemi, të rrisim, siç edhe kemi rritur, pagat e mësuesve.
Të përmirësojmë, siç edhe kemi përmirësuar, kushtet në shkollat në çdo qytet e fshat të vendit.
Të vazhdojmë të rrisim investimet për arsimin, shkollimin, edukimin qytetar dhe formimin shkencor.
Mësuesit e kthejnë këtë investim me përkushtimin, talentin dhe dashurinë e tyre për vajzat dhe djemtë e Shqipërisë.
Gëzuar 7 Marsin, mësuese dhe mësues, të dashur, të urtë e të respektuar!
Mirënjohje pa fund për ju, mësues të së kaluarës, mësues të sotëm dhe të ardhshëm të Shqipërisë!

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente