Festa e 28 Nëntorit, Meta uron nga qelia: Kremtimi i 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të idealit të lirisë dhe vlerave kombëtare
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga qelia, ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë.
Meta shkruan se 28 Nëntori “na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare, të Sovranitetit dhe integritetit territorial kundër çdo pushtuesi dhe kolonizatori të vjetër apo të ri”.
Urimi Metës:
Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar! 🇦🇱
Urime të gjithë shqiptarëve kudo janë 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!
Kremtimi i 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare, të Sovranitetit dhe integritetit territorial kundër çdo pushtuesi dhe kolonizatori të vjetër apo të ri, në mënyrë që Flamuri Kuqezi me shqiponjën dykrenare, simboli ynë i shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i pacënuar, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat dhe bijtë më të mirë të kombit.
Të dëshmojmë vendosmërinë e palëkundur, mençurinë dhe patriotizmin më të lartë për mbrojtjen e këtyre idealeve e vlerave, si dhe në përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.
Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që ata ndodhen!
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi