“Fëmijët kanë shfaqur probleme shëndetësore”- Denoncimi i PD: Rreth 200 tonë mbetje kimikatesh, cianur dhe arsenik, ndodhen krah një muri shkolle në Elbasan

“Fëmijët kanë shfaqur probleme shëndetësore”- Denoncimi i PD: Rreth 200 tonë mbetje kimikatesh, cianur dhe arsenik, ndodhen krah një muri shkolle në Elbasan

Në një deklaratë për shtyp, Fjoralba Dizdari, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, ka denoncuar një rast të mbetjeve të rrezikshme, pranë një shkolle të fshatin Baltëz të Elbasanit.

Dizdari u shpreh se janë rreth 200 tonë mbetje kimikatesh, ndër të cilat cianur dhe arsenik, ndodhen krah murit të shkollës, në një magazinë.

Ajo shton se fëmijët, por edhe të rriturit, kanë shfaqur probleme shëndetësore si alergji, probleme me frymëmarrjen, probleme psikologjike, por nuk mungojnë dhe sëmundjet fatale.
PD i bëri thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa për zgjidhjen e kësaj situate.
Deklarata e plotë:
Ndërsa skandali i mbetjeve të rrezikshme, që janë rrugës për tu rikthyer në portin e Durrësit, ende nuk është mbyllur, po bëjmë sot publik një fakt tjetër tronditës, që lidhet me mbetjet e rrezikshme dhe shëndetin e fëmijëve.
Rreth 200 Ton mbetje kimikatesh, ndër të cilat cianur dhe arsenik, ndodhen krah një muri shkolle në fshatin Balëz në Elbasan.
Siç e tregon kjo foto, ku qartazi duket shkolla e Balzës me qindra nxënës dhe muri ndarës i magazinës që mbledh mbetje të rrezikshme.
Bashkë me mësimet, fëmijët e Balzës marrin çdo ditë falas nga qeveria, edhe një dozë helmi. Kjo ndodh prej vitesh dhe fakti që nuk ka asnjë masë për t’i zhvendosur kimikatet dëshmon pandjeshmërinë e Rilindjes ndaj jetës së fëmijëve dhe banorëve të Balzës, Elbasanit dhe gjithë vendit. Me siguri në Bashkinë e Llatjes dhe qeverinë e Ramës këtë e mendojnë si pjesë të projektit ”Shqipëria 2030”.
“Qendra e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve” pas oborrit të shkollës, në qendër të fshatit Balëz, ndodhet rreth 2,5 km larg prej dy institucioneve të rëndësishme të Elbasanit, spitalit dhe Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Fshati Balëz ka mbi 1000 banorë dhe shqetësimi më i madh i tyre është se këto magazina janë ngjitur me shkollën, çerdhen dhe qendrën shëndetësore.
Fëmijët, por edhe të rriturit, kanë shfaqur probleme shëndetësore si alergji, probleme me frymëmarrjen, probleme psikologjike, por nuk mungojnë dhe sëmundjet fatale.
Të gjitha këto dëshmojnë se, pavarësisht kushteve të pretenduara të ruajtjes, këto lëndë avullojnë dhe shpërndahen në ajër, apo precipitojnë në tokë ku ndotin tokën dhe ujërat nën të.
Banorët e zonës ankohen se tokat dhe uji i puseve të tyre janë të helmuara nga agjentë të rrezikshëm dhe, për pasojë prodhimet janë të pakta dhe dyshohen të rrezikshme.
Partia Demokratike i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa për zgjidhjen e kësaj situate. Qeveria e ka shndërruar Elbasanin dhe zonat përreth në një qendër grumbullimi të mbetjeve të rrezikshme, në një qytet skrapi, në një vend ku digjen gomat masivisht, ku punojnë fabrika solari, ku ajri është i ndotur.
Metalurgjiku i Partisë së Punës është rikthyer për ta vrarë Elbasanin nën Partinë e Zhvatjes.
U bëjmë thirrje banorëve të Balzës, Elbasanit dhe zonave përreth, të ngrihen kundër helmeve qeveritare, dhe pro jetës; kundër zhbërjes së fshatrave dhe qyteteve dhe pro Shqipërisë.
Partinë Demokratike do ta kenë në krah!

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi