Drama e pashfaqur e Vorës pas tërmetit! Banorët rrëfejnë harresën 5 vjeçare! Historia e trishtë e Bedries dhe burrit të saj, që jeton në 15m2 kontejner me komshinjtë
EMISIONI VETTING
“Nga pamundësia që nuk kishim të paguanim qiranë përfundova në kontejner bashkë me këtë komshien”.
“Nuk na kanë prurë një thes miell o djalë, nuk na kanë prurë një thes miell, dy shtëpi kemi marrë një thes miell. Një kasolle me dërrasa na e bëj o dreq.
“Jam prind i tre fëmijëve, jam veti i pestë në shtëpi, jetojmë në kasolle,
“Te paktën të mos e kishin prishur, na lanë rrugëve”
“Bir nëne jam, shqiptar jam”
“Ku të shkoj unë? Turp të kenë! Turp dhe marrë të kenë, edhe një çopë shtëpi nuk ma kanë bërë”.
“Pritet të firmoset, pritet të firmoset, se çfarë pritet nuk e di as vetë,”
Gruaja në kontejner: “O zot na bëjë të jetojmë të lumtur edhe këto pak vite që na kanë ngelur”.
Kështu i qasen kameras këta banorë fatkeq të Vorës të cilëve tërmeti i 2019 iu shkatërroi banesat. Prej ditës kur ata panë t’iu shembej para sysh gjithçka kishin mundur të ndërtonin, mbetën të bllokuar në një kalvar dhimbjeje, pa mundur të rikuperojnë asnjë.
Në këtë kontejner të ftohtë, jetojnë katër pleq. Bedrie Breti me bashkëshortin, por edhe Naxhire Disha me bashkëshortin e saj. Ata ishin komshinj para se të shembej pallati ku banonin. Prej pesë vitesh jetojnë të detyruar si një familje e vetme. I kanë kaluar këtu pesë dimra e do ta kalojnë edhe acarin e këtij viti sepse nuk kanë asnjë shpresë për më mirë.
Katër pleqtë janë të ngujuar në këtë hapësirë të ngushtë, vetëm 15 m2, të mbuluar nga një çati teneqeje që nuk i mbron as nga vapa as nga ngrica.
“S’jemi tu jetu 500 vjet. Në kontejner jetojmë bashkë 2 familje kemi qenë komshi të dy atje kemi ardhur këtu, jemi bërë vëlla e motër . Jam banore e pallatit që është prishur, nuk kishim mundësi të paguanim qiranë dhe përfundova në kontejner bashkë me këtë komshiun, se e kam patur komshi atje. Kushtet i shikoni vetë sesi janë. Ja ku gatuan nëna, i shikoni tepsitë. Jemi bërë si vëlla e motër. Ambientin shikojeni vetë, është shumë i vogël, si jetohet katër vetë këtu nuk mund të jetosh as me fëmijën tendë. Me djalin tende nuk mund të jetosh katër veta, nga halli e kemi shtuar me teneqe dhe çarçafë, prej hallit. ” shprehet e moshuara
Në këtë kontejner ata ndajnë një realitet tragjik të mbushur me dhimbje, trishtim e pa shpresë. Në këtë etapë të fundit, në dimrin e jetës, ata po njohin dhimbjen vuajtjen deri në denigrim.
“Kemi nxjerrë rreckat e këto dyshekët jashtë sepse na i ka lagur shiu, ka rënë shi i madh. Unë fle këtu, burri atje. A kam fuqi unë të hipi atje lartë tek krevati? Jemi si në kotec të pulave. Vendi ku kemi vendosur kontejnerin nuk është i joni, na i ka dhënë një komshi për sevap sepse na shikonte katër pleq të vjetër. Ai na i dha për 6 muaj deri në një vit. Kanë kaluar pesë vite dhe na ka kërkuar që të dalim që këtu sepse do të bëjë punimet e veta, nuk e di. E ka pronën e vetë. Presim të ndërtohet pallati, ashtu na thanë atëherë do të bëhet shpejt, do të bëhet shpejt”- shprehet e moshuara.
Çdo ditë e natë e këtyre pesë viteve është një dramë, një histori mbijetesë.
Shpresa prej premtimeve të ditëve të para, tani është shuar në errësirën e mungesës së mbështetjes nga institucionet. Premtimet për rindërtim mbetën fjalë bosh, të mbyllura në arkiva burokracie, ndërsa banorët e Marqinetit dhe Marikaj vazhdojnë të jetojnë në kushte të papranueshme.
“Nuk dua të ha as të pi, as të vesh asgjë, mua malli i shtëpisë më ka ikur komplet, dy shtëpia në maj të kodrës, dy atje poshtë. Katër shtëpia kam ndërruar deri më sot. Ai tjetri vjen dhe më thotë dil prej shtëpie, ku të shkoj unë pastaj? Lërë që ajo shtëpia është e dëmtuar nuk ke çfarë flet. Është komplet uji, unë fëmijën e kam të sëmurë, vetëm për këtë se fëmijën e kam të sëmurë në shtëpi.”- shprehet një banore.
Një tjetër banor i indinjuar shprehet se: “Një thes miell nuk na kanë sjellë o djalë, nuk mbahen dy shtëpi më një thes miell. Kam marrë vetëm një thes miell 25 kilogramë. Ne nuk kërkojmë lëmosh, nuk vuajmë për bukë. Nëse nuk do të kishim ngrënë bukë do të kishim vdekur për këta. Bëje shtëpinë të hyjmë brenda si njerëz, bëj një kasolle me dërrasa more burrë, kasolle me dërrasa na bej ore dreq. I keni rrënuar lekët e tjera|.
Në cilado kushte njeriu përpiqet t’i përjetojë ngjarjet e rëndësishme të jetës. Në këto kontejnerë e kasolle ku kanë kaluar pesë vite të mundimshme kanë lindur fëmijë, janë bërë dasma e gëzime por edhe hidhërime. Ka pasur nga ato raste ku nuk kanë ditur ku e si t’i hapin dyert e mortit.
“Rahmet pastë, por atij i ka vdekur babai në shtëpi të huaj, i ka vdekur babai me dy metra vend se nuk kishte ku ta varroste sepse pati shtëpinë e vetë dhe e nxorën rrugëve, dhe nuk i bëjnë shtëpi. Nuk ka poshtërsi më të madhe sesa është bërë me fshatin Marqinet.”- shprehet banori i prekur nga tërmeti.
Një banore sqaron se edhe hallet i patën të vështira t’i kalojnë: “Burri më vdiq, nuk ka bërë vitin akoma, ka vdekur në shtëpi të huaj. Pse të mos na bëjnë shtëpinë tonë për cilën arsye? Unë dua vetëm shtëpinë asgjë nuk dua”.
Njëri prej banorëve thotë se pallatet e ndërtuara në Vorë po zbukurohen në fasada sepse do të inaugurohen në prag të zgjedhjeve. Ndërkohë ka qindra banorë që enden rrugëve të pastrehë.
Të frustruar banorët sqarojnë: “Ore zotëri ka filluar të bëhet grafiato atje në Vorë, le t’ua bëjnë se edhe ata janë njerëz. Por me parë të le të futen njerëzit brenda pasta bëni grafiaton. Nuk bëhet grafiato, ndërsa ne rrimë në mes të rrugëve, vazhdojmë pa uji dhe drita në mes të katër rrugëve. Po kush e pruri këtë fond për të bërë grafiato? Por ne jemi populli i Vorës ne e votojmë.”
“Jam nga Palaci, Bashkia Vorë më ka thënë që do të ndërtojnë pallatin dhe do të strehohemi me 17 familjet të cilave iu është shembur nga tërmeti pallati ku jetonim në Marqinet. Po kështu janë banorë nga Preza, Palaci etj. Ku gjithsej sipas bashkisë bëhem i 53 familje të cilat na janë prishur shtëpitë nga tërmeti dhe na është premtuar që do të merrnim shtëpi të reja. Pikërisht në këtë vend ku ndodhemi (Marqinet). Shkojmë në bashki na presin shumë mirë, por nuk na ofrojnë më zgjidhje dhe as strehim, na kanë hequr edhe bonusin e qirasë dhe tani kemi mbetur në mes të katër rrugëve. Me çfarë shikojmë gjasat janë shumë të pakta që ne të strehohemi si të gjithë banorët e tjerë të bashkive që kanë strehuar familjet e prekura nga tërmeti në apartamente” – shprehet një tjetër banor.
Teksa eksperti i urbanistikës Gentian Kaprata sqaron: “Është shumë e qartë përderisa kjo qeveri gjene mënyra pa fund për t’i sjellë ato si zgjidhje ose ndërton vetë probleme. Realisht probleme që i krijojnë në mënyrë të pavullnetshme për shkak të keqqeverisjes dhe pastaj synon që këto t’i zgjidhi ditën e zgjedhjeve, domosdoshmërish nuk është hera e parë. Besoj e keni dëgjuar që ka një VKM së fundmi e cila përfshin në pushtetin vendor në çështjen e legalizimit, është e njëjta mendësi”.
Kanë trokitur papushim nëpër dyert e Bashkisë së Vorës, duke kërkuar me ngulm banesat e premtuara.
“Ra tërmeti do Zoti na fali, na i shembi Bashkia banesat duke premtuar se do t’i bëjnë të reja. Na lanë 5 vjet rrugëve, bredhim rrugëve. Ngremë leckat, e gjerat i çojmë nga njëra shtëpi tek tjetra”-shprehet banori i Marqinetit.
Asnjë rezultat, gjithçka ka mbetur vetëm një thirrje e dëshpëruar për drejtësi.
“Bashkia nuk ka fonde”- është refreni i përhershëm që i lë të pashpresë.
Banori kërko të dijë arsyen se përse nuk ndërtohet pallati i tyre: “Këta janë banorët e këtij pallati, këtu ka shesh për ndërtim, këtu ka uji, këtu ka drita, ka kanalizime të ujërave të zeza. Këtu i ke të gjitha. Për çfarë arsye nuk bëhet kjo shtëpi”.
Banori tjetër po ashtu është i pa kënaqur më tej ai shprehet: “Bashkia nuk ka bërë asgjë, as ma merr mendja që të bëjnë gjë sepse Bashkia e Vorës ka falimentuar, nuk ka fonde për qira as bonuse”.
“Ne jemi në qiell të hapur këtu, ne nuk dimë se ku jemi këtu, kemi shkuar dhe nuk na kanë dhënë zgjidhje. I bëj thirrje kryeministrit ta kthejë kokën këtej nga ne, jemi në hall të madh or burrë. Nuk kemi ku të rrimë.”
“Pallati është i pabanueshëm, tani kanë thënë që nuk do të prishet, mirë që nuk do të prishet a mund të riparohet nga shteti? Sepse ishte shteti ai që u tha banorëve të dilnin. Do të vijnë të banojnë. Banorët këtu vijnë por këtu nuk kanë uji as drita, asgjë. E si mund të jetojë njeriu këtu? Duhet t’iu japin shtëpi, ose të riparohen e të vijnë në shtëpi. Por na jepni mundësi të riparohet sepse ishte bashkia ajo që u tha dilni. Shkon tek Bashkia Vorë dhe nuk të kthen njeri përgjigje, kjo është e gjitha, ky është realiteti.”
“Kemi shkuar edhe në bashki dhe thonë që nuk ka fond për rindërtimin”- denoncojnë banorët për Vetting.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi