Dhuna ndaj dy efektivëve në Vlorë, Balla: Kush guxon t’i rrezikojë jetën policëve në ushtrim të detyrës, po godet shtetin! Qytetarët të ankohen, por…
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë, ku dy punonjës policie u dhunuar nga disa të rinj.
Në një postim në rrjetet sociale, teksa ka ndarë foto të punonjësve të policisë duke patrulluar e monitoruar territorin në tokë a det, Balla shkruan se “kush nuk i bindet urdhrit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet të kuptojë se po godet shtetin”.
Më tej, ai shprehet se çdo qytetar që mendon se ka të drejtë ndërsa punonjësi i policisë e ka gabim, e ka gjithë të drejtën dhe mekanizmat ta apelojë vendimin apo urdhrin e punonjësit të policisë në rrugë administrative apo dhe penale.
“Por çdo veprim kundërshtimi me forcë nuk duhet të tolerohet”, shkruan Balla.
Reagimi i plotë
Në këto ditë të nxehta vere, si gjithmonë, Policia e Shtetit është #nëkryetëdetyrës 🙏 për të garantuar sigurinë tuaj kudo në të gjithë territorin. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, garantuesi themelor i së cilës është Policia e Shtetit.
Kush nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet të kuptojë se po godet shtetin.
Nëse qytetari mendon se ai ka të drejtë ndërsa punonjësi i policisë e ka gabim, qytetari ka gjithë të drejtën dhe mekanizmat ta apelojë vendimin apo urdhërin e punonjësit të policisë në rrugë administrative apo dhe penale, por çdo veprim kundërshtimi me forcë nuk duhet të tolerohet.
Ngjarja në Lungomare, Vlorë
Dy pronarë të një subjekti që jepnin motorë elektrike dhe monopatina me qira, kanë dhunuar efektivët e policisë në Lungomare, duke i bërë për spital.
Dy efektivët kanë pësuar fraktura nga dhuna e ushtruar, ndërsa ndodhen të shtruar në spitalin e Vlorës jashtë rrezikut për jetën.
Sipas uniformave blu, gjatë mbrëmjen së të premtes në Lungomare, punonjësit e qarkullimit rrugor të planizuar në këtë aks, gjatë kontrolleve të ushtruara për përdorimin e kaskave tek motorët elektrikë dhe monopatinat, kanë konstatuar shtetasin me iniciale D. J., në kundravajtje, të cilin e kanë ndaluar.
Teksa po i komunikonin masës administrative, drejt efektivëve janë afruar dy pronarët e subjektit, vëllezër me njëri-tjetrin, ku shtetasi me iniciale D. J. kishte marrë motorin elektrik me qira.
Pronarët, konkretisht shtetasit me inicialet R. P. dhe K. P., të cilët ushtronin aktivitetin e tyre pa licensë duke zaptuar hapësirën publike, së bashku me shtetas të tjerë kanë debatuar verbalisht me punonjësit duke i kundërshtuar e më pas i kanë goditur me grushta.
“Në vijim të veprimeve proceduriale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, oficeri i Prokurorisë ka bërë ndalimin e dy shtetasve R. P., 29 vjeç dhe K. P., 23 vjeç, (vëllezër), të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës”, informuan uniformat blu.
Dy pronarët e motorëve elektrikë u vendosën në pranga, ndërsa po punohet për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt.
LEXONI EDHE: Sherri për gjobën, si dy pronarët e monopatinave bënë për spital efektivët! Pas debatit, i goditën me grushte dhe… Dy policët kanë pësuar fraktura, ja gjendja e tyre
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi