Debati për opinionin e “Venecias” për mandatin e Olta Xhaçkës/ Peleshi: Kërkesa nuk kishte lidhje me një deputet të caktuar! Mendimi ishte pozitiv për të gjithë
Kreu i Grupit Parlamentar, Niko Peleshi, foli sot nga kuvendi lidhur me opinionin e komisionit të Venecias për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Rekomandimi është interpretuar ndryshe nga opozita dhe ndryshe nga mazhoranca, e për rrjedhojë ka shkaktuar debate në politikë.
Socialisti tha se kërkesa e Kuvendit nuk kishte lidhje me një deputet të caktuar, çështje të caktuar apo grup parlamentarësh të caktuar.
Ai tha se kërkesa kishte lidhje me Kuvendin dhe se vendim ishte mendim pozitiv për të gjithë, madje më tepër për minorancën, tha Peleshi.
Niko Peleshi: Lidhur me atë çka u tha për rekomandimin e komisionit të Venecia, nuk marr përsipër të bëj trajtim teknik. Kërkesa nuk kishte lidhje me një deputet të caktuar, çështje të caktuar apo grup parlamentarësh të caktuar. Kishte lidhje me kuvendin. Unë e falënderoj edhe njëherë para jush kryetaren e Kuvendit që nuk ndërhyri, nuk e futi komisionin e Venecias në mes të procedurës që kishim , pra për mandatin e zonjës Xhaçka, por pasi mbaroi procedura në respekt edhe të vendimit të GJK i bëri disa pyetje Komisionit të Venecias që do të na ndihmojë të gjithëve jo vetëm kuvendin por edhe institucionet e tjera. Ne nuk e ngremë flamur në mënyrë triumfuese atë vendim, sepse ai vendim ishte mendim pozitiv për të gjithë, madje më tepër për minorancën.
Nga ana e tij, keu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se mazhoranca u zotua se sapo të vinte opinioni i Venecias do ta zbatonin, por sipas tij, ata bënë të kundërtën. Ai tha se shpikën një opinion që nuk ekziston duke u thënë shqiptarëve se Kuvendi është i pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni i Venecias publikoi disa ditë më parë opinionin e tij mbi përplasjen mes parlamentit shqiptar dhe Gjykatës Kushtetutese lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Në disa paragrafë Komisioni e thekson qartazi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk mund të kushtëzohen me votimin në parlament.
Ndërsa në përgjigje të pyetjes që i është dërguar nga parlamenti, nëse deputetët mund të detyrohen të votojnë pro ose kundër një çështjeje, ndonëse thekson qartë se deputeti nuk mund të detyrohet se si të votojë, për rastin konkret, po ashtu nënvizon se vendimi i Gjykata Kushtetuese, i cili është i detyrueshëm për t’u zbatuar, kishte dalë para se deputetët të votonin për të. Shumica socialiste dhe opozita e interpretuan në kahe tërësisht të kundërta këtë opinion.
Çështja e mandatit të deputetes Xhaçka e ka zanafillën që në qershor të vitit 2022, kur deputetë të opozitës, iu drejtuan parlamentit me një mocion për konstatimin e pavlefshmërisë dhe përfundimin e mandatit të ish ministres.
Sipas tyre zonja Xhaçka ishte në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish deputeti socialist Artan Gaçi, kishte përfituar statusin e investitorit strategjik, për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut. Vetë zonja Xhaçka ka këmbëngulur se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi i dhënë bashkëshortit të saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë. Socialistët po ashtu, votuan kundër dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Dy vendime të kësaj Gjykate, sipas të cilave parlamenti duhet t’ja përcillte asaj rastin, hasën në pengesën e votave të shumicës, pasi ajo vlerësoi deputeti nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar dhe se këtë liri atij ia njeh kushtetuta.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi