BOKS / Shoqata Rozafa padit federatën, gjykata pezullon Asamblenë Zgjedhore
Postuar: Tetor 4, 2024 | 20:06
Me ciklin e ri olimpik, federatat sportive, sipas ligjit, duhet të mbajnë asambletë zgjedhore, në të cilat do të mandatohen drejtuesit e ri. Një proces, të cilin deri më tani e kanë ndjekur një pjesë e federatave, ku nuk kanë munguar as problemet.
Rasti më i fundit vjen nga Federata Shqiptare e Boksit, e cila kishte planifikuar zhvillimin e asamblesë më datë 6 tetor. Por kjo asamble nuk do të mbahet për shkak se gjykata ka pranuar padinë e Shoqatës “Rozafa Boks”. Kjo shoqatë ka kërkuar pezullimin e asamblesë, pasi pretendon se janë përjashtuar nga pjesëmarrja rreth 9-10 shoqata të tjera të boksit.
Shoqata “Rozafa Boks” deklaron se presidenti aktual, Florend Kalivopulli, i cili është në garë për të marrë një tjetër mandat, ka përjashtuar shoqatat që të ketë numrat e nevojshëm për t’u rizgjedhur. Ky pretendim është pranuar nga Gjykata e Tiranës, e cila i ka dhënë të drejtë Shoqatës “Rozafa Boks”, duke marrë kështu vendim për pezullimin e asamblesë zgjedhore të Federatës Shqiptare të Boksit. Përveç Kalivopullit, në zgjedhjet për president kandidon edhe Elidor Bushati, i cili prej disa vitesh mbështet dhe promovon boksierët profesionistë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi