Besëlidhja e Tirana në fron, basketbolli përgatit startin. FSHB zbardh kalendarin e Javës 1

Besëlidhja e Tirana në fron, basketbolli përgatit startin. FSHB zbardh kalendarin e Javës 1

Basketbolli shqiptar është gati për edicionin e ri, teksa këtë fundjavë do të nisin kampionatet kombëtare 2024-2025.

Pas një sezoni eksperimental me të gjitha ekipet të grupuara në një kategori të vetme, këtë edicion meshkujt rikthehen me dy kategori. Besëlidhja kampione, Teuta, Tirana, Vllaznia, Kamza dhe Apolonia do të formojnë Superligën, nivelin më të lartë të sportit të koshit në Shqipëri. Kampionati do ta ngrejë siparin të shtunën në Shkodër, me takimin ndërmjet Vllaznisë dhe Teutës në orën 18:00.
Një sfidë tepër interesante me dy skuadra që vijnë me ambicie dhe me disa lojtarë huaj në gjirin e tyre. Java e parë do të vijojë të dielën, teksa në orën 18:00 në parket do të zbresin kampionët në fuqi të Besëlidhjes. Skuadra e Afrim Bilalit, do ta nisë në transfertë kundër Apolonisë në Fier, sallë që vetëm pak ditë më parë i pa lezhjanët të festonin triumfin në Superkupë.
Besëlidhja mbetet favorite për rikonfirmimin në fron, edhe pse parashikohet një kampion më rivalitet, ndryshe nga ai i vitit të kaluar ku lezhjanët e mbyllën të pamposhtur, duke dominuar totalisht. Ndeshja mbyllëse e javës së parë do të jetë po të dielën, teksa Tirana dhe Kamza do të matin forcat në sallën “Farie Hoti”. Me 33 tituj kampionë, Partizani është skuadra rekordmene e basketbollit shqiptar, ndërsa pas të kuqve vijnë Tirana me 21 tituj dhe Vllaznia me 9.K1 MESHKUJ – Kategoria e parë e meshkujve, ose siç njihet ndryshe niveli i dytë kombëtar për sportin e koshit, këtë edicion do të jetë me 6 skuadra. Ekipet pjesëmarrëse në kampionat janë Partizani, Elbasani, Flamurtari, Fieri, Skënderbeu si dhe Pogradeci, me skuadrën liqenore të regjistruar këtë sezon. Java e parë do të nisë të shtunën me dy përballje, PogradeciSkënderbeu në orën 14:30 dhe Flamurtari-Partizani në orën 15:00. Takimi mbyllës i javës do të jetë të dielën në orën 13:00 mes Fierit dhe Elbasanit. Vendi i parë në përfundim të katër fazave ngjitet në elitë, ndërsa vendi i dytë do të luaj në “play off” me ekipin e parafundit të Superligës.
K1 FEMRA – Tirana kampione, Flamurtari, Partizani, Studenti, Vllaznia, Teuta dhe Elbasani janë shtatë ekipet e kategorisë së parë në basketbollin e femrave. Kampionati do të nisë sot me ndeshjen Teuta-Vllaznia në orën 18:00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, takim që do të ngrejë siparin e sezonit 2024-2025. Dy ndeshjet e tjera do të luhen të shtunën, duke nisur në orën 12:00 në “Asllan Rusi” me derbin Studenti-Partizani, për të vijuar në orën 17:00 në Vlorë me kryendeshjen e javës ndërmjet Flamurtarit dhe Tiranës. Vlonjatet dhe bardheblutë e kanë bërë tashmë “nxehjen”, teksa kanë matur forcat në dy finale të këtij sezoni, fillimisht në Kupën e FSHB-së, kompeticion testues ku triumfoi Tirana, ndërsa më pas në Superkupë, trofeu i parë i rëndësishëm sezonal, të cilin e fitoi Flamurtari. Kampionati i femrave parashikohet me shumë rivalitet, teksa Tirana, Partizani dhe Flamurtari garantojnë betejë të fortë për titullin dhe mbeten pretendentet kryesore. Me 41 tituj kampionë, Tirana mban rekordin në basketbollin e femrave, edhe pse çështja e numrit të titujve në shtëpinë bardheblu mbetet një temë më vete, pas ndarjes në dy ekipe gjatë vitit 2018.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi