“Berisha po mban peng opozitën!”- Ish-kryeministri i pandehur nga SPAK, Hila: Ka frenuar talentet në PD, s’mund të dalë askush të marr drejtimin e partisë
Analisti Dritan Hila, duke komentuar marrjen si të pandehur ish-Kryeministrin Sali Berisha nga SPAK, tha se duhet të presim derisa të flasë drejtësia.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, Hila tha se Berisha është një lider opozitar dhe në këtë kuadër kuptohet edhe frustimi i opozitës, ndërsa shtoi se Berisha bëri një gabim që në gjenezë, ku caktoi pasardhësin e tij dhe mbylli garën në PD.
Ndër të tjera ai shtoi se Berisha ka frenuar talentet në PD dhe se nuk mund të dalë askush që të tentojë marrjen e drejtimit të PD-së.
“Berisha bëri një gabim që në gjenezë, caktoi pasardhësin e tij, mbylli garën në PD. Berisha ka frenuar talentet në PD dhe në këtë moment kemi një bllokim që për fat të keq, qoftë edhe për arsye të ndjesive njerëzore, nuk mund të dalë askush që të tentojë marrjen e drejtimit të PD-së. E shikoj si një marrje peng të opozitës nga Berisha”, tha Hila.
Ndër të tjera, ai kundërshtoi dhe deklaratën e deputetit të PD, Agron Gjekmarkaj në studio, i cili tha se me marrjen e Berishës si i pandehur, po synohet të shuhet opozitarizmi në Shqipëri.
“Një opozitë ka pasur edhe në kohën e Enver Hoxhës, ndaj nuk jam dakort me tezën që po shuhet opozita”, tha Hila.
Por, Agron Gjekmarkaj duke replikuar tha se ka një përpjekje për ta vënë opozitën në kushte të tilla që mos ketë mundësi të konkurojë me pushtetin. “Po goditet opozita, ka një tentativë për ta shuar atë”, tha Gjekmarkaj.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi