“Berisha po e çon PD për dhjamë qeni”, Basha paralajmëron: Do e ndjekim çështjen e logos së PD-së deri në Strasburg! Do kallëzojmë në SPAK…
Lulzim Basha tha se po shqyrtohet mundësinë që gjyqtarët e Apelit që ia kaluan vulën dhe logon e PD-së Sali Berishës, të kallëzohen në SPAK, por edhe në KLGJ.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, Basha tha se po shikohet nëse këta gjyqtarë kanë shpërdorur detyrën ose jo. Ai ka pretenduar se vendimi i Apelit është një pazar mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, duke u shprehur se kjo Gjykatë nuk zbatoi atë vendimin e Gjykatës së Lartë që kërkonte një gjykim themeli. Basha tha se ekipi i juristëve do ndjekë deri në fund rekursin për logon dhe vulën e PD-së, ndërsa ai do angazhohet në takimet me qytetarët.
“Berisha dhe Rama janë dinosaurët që nuk duan të flitet për asgjë. Njëri thotë do mbaj vulën për tu mbrojtur nga amerikanët, tjetri thotë mbaj vulën ti se unë do mbaj pushtetin. Dhe po të jap dhe një lajm sonte, për të tre gjyqtarët po përgatitet materiali për të parë nëse mund t’i kallëzojmë në SPAK dhe në KLGJ. Prandaj po të them që ne jemi institucional”, u shpreh Basha.
Basha gjithashtu tha se ata që ndodhen në krah të Berishës kanë vënë shishen te rradha se kush do të bëhet kryetar pasi të ikë Berisha.
“Sali Berisha do e çojë PD në 2025 për dhjamë qeni, do i fusë krahun demokratëve. Do e ndjekim çështjen e logos së PD-së deri në Strasburg. Ne do të jemi në 2025 një alternativë për shqiptarët, me apo pa logo. Pazari i Berishës ka nisur me bashkimin e votave për lirimin nga burgu të të korruptuarve të Edi Ramës, me prishjen e komisionit për reformën zgjedhore, vijoi me vulën, dhe objektivi kryesor i të dyve është SPAK. E kanë gati” – u shpreh Basha.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
<a class=”source-link” href=”http://www.panorama.com.al/berisha-po-e-con-pd-per-dhjame-qeni-basha-paralajmeron-do-e-ndjekim-ceshtjen-e-logos-se-pd-se-deri-ne-strasburg-do-kallezojme-ne-spak/”>Burimi</a>