BASKETBOLL FEMRA/ Tirana “shuplakë” Flamurtarit në Vlorë, Partizani dominon Studentin

BASKETBOLL FEMRA/ Tirana “shuplakë” Flamurtarit në Vlorë, Partizani dominon Studentin

Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka kompletuar të shtunën takimet e javës së parë.
Kryendeshja e javës ishte padiskutim përballja në Vlorë ndërmjet Flamurtarit dhe Tiranës, ekipe që një sezon më parë sfidoheshin në finalet e “play off”-it, ku triumfonte skuadra bardheblu. Edhe këtë herë ishin kryeqytetaset ato që dolën fitimtare, duke u hakmarrë për humbjen që pësuan një javë më parë në Superkupë. Tirana fitoi me rezultatin 66-77 në një takim ku ishte në avantazh nga fillimi e deri në fund.
Kampionet e filluan furishëm, për të marrë thellë periodën e parë 7-21. E dyta ishte më e mirë për vlonjatet, të cilat ftuan 25-15, me pjesën e parë që u mbyll në shifrat e përgjithshme 32-36 për miket. Vajzat e trajneres Mirza Alibegaj i rivendosën distancat në periodën e tretë, të cilën e morën në shifrat 12-23, duke u shkëputur në 44-59 pas 30 minutash lojë. Kryeqytetaset e administrojnë mirë epërsinë, me periodën e katërt që mbyllet 22- 18 për vendëset, ndërsa suksesin në shifra të përgjithshme mbetet i salduar me 11 pikë avantazh për Tiranën.
Kështu festa u takon vajzave bardheblu, të cilat tregojnë menjëherë forcën në shtëpinë e një rivali për titull. MVP e ndeshjes ishte Liliane Ikete Ndongbwo, e cila udhëhoqi Tiranën me dopietë dyshifrore, 28 pikë e 11 kërcime. Spikatën gjithashtu edhe A’Lexxus Davis me 10 pikë e 19 kërcime, Enisa Qosja me 19 pikë e 7 asistime si dhe Emani Clough me 16 pikë e 8 asistime. Për Flamurtarin më e mira ishte Desiree Ramos, autore e 22 pikëve.
Asnjë problem për Partizanin në derbin e kryeqytetit  kundër Studentit. Të kuqet e Eliverta Bujarit fituan me rezultatin 57-76 (12-20, 24-16, 12-14, 9-26), duke e bërë diferencën në pjesën e dytë të ndeshjes. Lojtarja e ndeshjes u shpall Ornela Lalaj, autore e 19 pikëve, 8 kërcimeve dhe 7 asistimeve për Partizanin, mbështetur nga Jenna Dick me 13 pikë dhe Enisa Semanjaku me 11. Te Studenti u dalluan Marinela Gjergji me 21 pikë e 11 kërcime, Marina Pëllumbi me 17 pikë si dhe Megi Spahiu me 11.Në ndeshjen hapëse të javës së parë, Vllaznia mundi Teutën të premten në Durrës me rezultatin 70-84.E.SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi