BASKETBOLL FEMRA/ Teuta-Vllaznia starton me 3 orë vonesë, në fund festojnë shkodranet
Postuar: Tetor 12, 2024 | 11:55
Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka ngritur dje siparin e edicionit 2024-2025 me takimin hapës të javës së parë ndërmjet Teutës dhe Vllaznisë.
Një sfidë që nuk nisi në mënyrën më të mirë, pasi ndeshja që parashikohej të fillonte në orën 18:00 u shty me gati 3 orë, për shkak të sfidave të volejbollit në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, ndërsa klubi organizatorët mesa dukej nuk i kishin bërë mirë llogaritë. Duke kaluar te takimi, Vllaznia e ka filluar me këmbë të mbarë, teksa mori një fitore të bukur me rezultatin 70-84 (20-17, 15-23, 11-18, 24-26). Teuta bëri më mirë vetëm në periodën e parë, në të cilën u shkëput deri në 11 pikë avantazh, por më pas skuadra shkodrane e drejtuara nga trajnerja Medina Mustafa, e kontrolloi lojën, duke hipotekuar suksesin e parë në kampionat. Ndeshje e shkëlqyer nga Bernarda Rreshpja, e cila udhëhoqi Vllazninë në Durrës, për të merituar vlerësimin MVP me 39 pikë, 7 kërcime dhe 6 asistime. Spikatën edhe Anisa Bokrina me 19 pikë dhe Ingrit Dashja me 12. Për Teutën u dalluan amerikania Jainanya Jones me 19 pikë dhe 19 kërcime dhe 9 asistime si dhe Orjana Hasani me 17 pikë e 11 kërcime.Java e parë do të vijojë sot me dy takimet e mbetura, Studenti-Partizani në orën 12:00 në “Asllan Rusi” dhe më pas kryendeshja ndërmjet Flamurtarit dhe Tiranës në orën 17:00 në Vlorë.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi