BASKET/ U përjashtua përjetë, Bruno Daliu kërkon heqjen e dënimit: FSHB po shkel rregullat me mua

BASKET/ U përjashtua përjetë, Bruno Daliu kërkon heqjen e dënimit: FSHB po shkel rregullat me mua

Rreth pesë vite më parë Bruno Daliu ishte protagonist i një prej ngjarjeve më të shëmtuara në basketbollin shqiptar, teksa gjatë ndeshjeje humbi toruan, duke sulmuar fizikisht gjyqtarin në parket. Një incident që ndodhi në Durrës në takimin Teuta-Tirana, me Daliun që asokohe ishte pjesë e bardhebluve.

Për veprimin e bërë ai mori një dënim ekstrem nga Federata Shqiptare e Basketbollit, duke u përjashtuar përjetë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Daliu thekson edhe një herë se është penduar për veprimin e tij, duke e kujtuar kështu atë moment:
“Normalisht që jam penduar, pasi ishte një moment gjaknxehtësie, ndoshta edhe nga prania e tifozëve të pranishëm, për më tepër që unë në Durrës kisha luajtur më përpara edhe vetë. Për mua ishte një ngjarje e rëndë dhe nuk ishte gjë e mirë që ta mbyllësh karrierën në atë mënyrë. Jam penduar dhe i kam kërkuar falje publikisht gjyqtarit në një emision televiziv. Gjyqtari më ka dhënë madje edhe një deklaratë të noterizuar për normalizimin e marrëdhënieve, kështu që në këtë aspekt nuk kemi më probleme me njëritjetrin”, shprehet 39-vjeçari.
Sigurisht, duke parë edhe moshën, më shumë sesa për karrierën, Daliu kërkon që momenti i tij i fundit në parket të mos identifikohet me atë incident të shëmtuar, teksa kërkon që t’i hiqet dënimi. Por sipas tij kjo çështje po shikohet si diçka personale në federatë: “Nuk është problemi që pres falje apo jo, por kam përshtypjen që federata nuk është e aftë për të respektuar ligjet e FIBA-s. Unë kam folur me presidentin e federatës, i kam shkuar në zyrë, duke i kërkuar që të hiqet dënimi, sipas të gjitha procedurave. Por ai më ka thënë që dënimin nuk e lejon FIBA që të hiqet, pasi ka shkuar atje”, thotë fillimisht basketbollisti kryeqytetas.

Më pas ai bën të ditur se i është drejtuar institucionit më të lartë të ndërkombëtar të basketbollit dhe se atje nuk figuron i dënuar: “Kam ndërmarrë komunikim direkt me FIBAn, e cila më ka lëshuar një dokument ku thuhet se unë nuk figuroj në asnjë vend i dënuar dhe se jam i lirë të luaj”, shprehet Daliu, teksa më pas tregon të tjera hapa që ka ndjekur për tu rikthyer në fushë: “Kam marr nismë me disa shoqata të basketbollit shqiptar dhe me trajnerë të ndryshëm, të cilët kanë bërë kërkesë pranë FSHB-së që dënimi të hiqet. Kërkesa është bërë dhe më pas federata e ka hedhur për diskutim, duke u shprehur se problemi është të dimë se si e kemi punën me arbitrin, por unë siç e thash kam dokumentin e noterizuar nga arbitri. Një dokument që federata e ka vetë që prej vitit 2021, kur Komisioni i Disiplinës për shkak se ishte kohë pandemie, me anë të një ‘e-mail’-i madje ra dakord që të hiqej dënimi, por që ai vendim nuk u miratua asnjë herë. Pra, është një ngërç dhe këta po më sjellin vërdallë kot”, shprehet Bruno Daliu, duke e konsideruar personale dhe aspak normale këtë situatë: “Kam përshtypjen që ka marrë një konotacion personal, pasi dikush mund të ketë ndonjë inat personal me mua. Por me këtë gjë i kanë hapur punë vetes, pasi unë i kam të gjitha shkresat, të FIBA-s, të arbitrit, të vetë federatës që ka lëshuar në vitin 2021, ku e kanë hequr dënimin, por nuk e kanë dekretuar. Kam përgjigjet e tyre, i kam të gjitha. Kjo nuk është vetëm për dënimin tim, sepse unë nuk do të bëj karrierë tani 40 vjeç, por më vjen keq pse të mbesë federata në dorë të disa njerëzve që nuk zbatojnë rregullat, për të cilat na thonë: ‘Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë’. Pra është diçka pa sens që në vitin 2024, të trajtohet Federata Shqiptare e Basketbollit si pronë private”.
Në fund, i pyetur se sa i mungon basketbolli, Bruno Daliu shprehet: “Mallin për basketbollin e kam hequr, pasi kam një akademi basketbolli timen dhe merrem çdo ditë me fëmijë të vegjël duke i stërvitur. Por më mungojnë ato momentet me shokët e ekipit, para dhe pas ndeshjeve në dhomat e zhveshjes”, përfundon basketbollisti.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi