BASKET MESHKUJ/ Kupa e FSHB-së për Tiranën, Besëlidhja rrëzohet në shtesë
Tirana është fituese e Kupës së Federatës 2024 në basketbollin e meshkujve. Bardheblutë triumfuan finalen e djeshme kundër Besëlidhjes në Elbasan në shifrat 88-86, duke ngritur lart trofeun e parë të sezonit, sukses që erdhi pas kohës shtesë, pasi 40 minutat e lojës u mbyllën në barazim.
Moment nga festa e bardhebluve
Me një ekip tërësisht shqiptar, kryeqytetasit e Erkand Karajit i befasuan kampionët falë grintës dhe karakterit që i karakterizon. Tirana e bëri diferencën kryesisht në finalizimet për 3 pikë, ndërsa spikatën Klein Strazimiri dhe kapiteni Red Volgi, të cilët treguan një shënjestër për tu admiruar në momentet më vendimtare të sfidës. 7 gjuajtje të sakta nga 11 tentativa për Strazimirin dhe dha 4 nga 4 për Voglin rezultuan fatale për Besëlidhjen. Nga ana tjetër, lezhjanët, pas sukseseve në dy edicionet e fundit në Kupën e FSHB-së, nuk arrijnë të përsëriten, ndërsa Tirana konfirmohet si një pengesë shumë e vështirë për ekipin e Afrim Bilalit në finale.
NDESHJA – Finalja e mbrëmshme në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” ishte me rivalitet të lartë nga fillimi deri në fund, duke i argëtuar rreth 200 të pranishmit që e ndoqën nga afër. Tirana mori minimalisht 15-14 periodën e parë, ndërsa bëri më mirë edhe në çerekun e dytë, duke fituar 23-20, për të shkuar në pushimin e madh me epërsinë e përgjithshme 38-34. Kampionët u përmirësuan me rikthimin në parket, për ta fituar periodën e tretë 20-24, ndërsa pas 30 minutash rezultati në tabelë është në ekuilibër të plotë, 58-58. Perioda e katërt dhuron emocione, ndërsa Besëlidhja e shikon veten deri në 6 pikë avantazh në çastet e fundit, por në momentet më dramatike, Tirana reagon. Kështu 10 minutëshi i katërt mbyllet 19-19 dhe koha e rregullt 77- 77. Në shtesë kryeqytetaset tregohen më të kthjellët dhe e menaxhojnë më mirë lojën, për të fituar 11-9, duke e vulosur të gjithë takimin 88-86. Një lojë mjaft e mirë grupi për Tiranën, me pesë lojtarë në dopioshifër pikësh, ku më të mirët ishin Strazimiri me 22 pikë dhe Vogli me 18. Për lezhjanët rendimentin më të lartë e kishte amerikani Joshua Angle me 23 pikë dhe 9 kërcime. Kështu beteja e parë sezonale për trofe mes Besëlidhjes dhe Tiranës shkon për bardheblutë, ndërsa këto ekipe do të matin forcat sërish edhe në finalen e Superkupës.
KAPITENI – Red Vogli, një jetë si bardheblu, mbrëmjen e djeshme ngriti një tjetër trofe si kapiten i Tiranës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai e komentoi kështu suksesin: “Ekipi ishte përgatitur prej kohësh për këtë ndeshje dhe arritëm ta fitonim këtë trofe. Nuk është se bëhet fjalë për ndonjë trofe shumë të rëndësishëm, por gjithsesi na jep shpresë dha na tregon ku jemi. Këtë vit ekipi është jo me fonde shumë të larta siç e kemi pasur kohët e fundit, por kemi një ekip vetëm me lojtar vendorë, të vetmit në Shqipëri pa lojtar të huaj. Jemi lojtarë që jemi rritur te Tirana dhe e dashurojmë këtë fanellë, kështu që kontributin e japim në maksimum, me shpirt, me zemër. I falënderoj të gjithë pjesëtarët e ekipit dhe në veçanti familjen time, gocën time këtu që u kënaq duke ngritur kupa, babain që po më shikon nga televizori. Fillimi i mbarë gjysma e punës, ose grushti i parë gjysma fitores siç i themi ne, por të shpresojmë dhe të mbetemi me këmbë në tokë për kampionatin, sepse është vetëm fillimi dhe luajmë me ekipe që kanë fonde të larta dhe Besëlidhja mbetet favorite”, deklaroi Vogli.VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi