BASKET MESHKUJ/ Besëlidhja shkroi historinë me 100 pikët ndaj Tiranës në Superkupë, Bilali: E fituam me… mbrojtje
Besëlidhja është fituese Superkupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, trofeu i parë i rëndësishëm i edicionin 2024- 2025. Lezhjanët treguan forcën e tyre në finalen e djeshme kundër Tiranës, duke i mundur bardheblutë me rezultatin e thellë 100-57 në sfidën e zhvilluar në Fier.
Në ndryshim nga finalja e Kupës së Federatës së disa ditëve më parë, këtë herë skuadra e Afrim Bilalit ishte e papërmbajtshme në parket dhe papërballueshme për bardheblutë. Besëlidhja komandoi nga fillimi e deri në fund, duke prekur edhe avantazhin maksimal prej 46 pikësh në këtë takim.
Skuadra veriore spikati në të dyja fazat e lojës, me një mbrojtje të mirë-organizuar dhe me një sulm shumë produktiv, duke shkëlqyer edhe në gjuajtjen për 3 pikë. Nga ana tjetër, Tirana u pa në vështirësi dhe nuk arriti të përsëriste paraqitjen e mirë që bëri në Kupën e FSHB-së, duke treguar limitet e saj në Superkupë, me një organikë që duket jo e plotë për të përballuar një sezon të gjatë dhe më shumë kompeticione.
NDESHJA – E parashikuar për tu zhvilluar të hënën në “Asllan Rusi”, finalja e Superkupës u shty për të martën për shkak të akseve të bllokuara prej protestës së opozitës në kryeqytet, duke u zhvendosur në pallatin e sportit në Fier. Besëlidhja e startoi lojën me një formacion miks, me 3 lojtarë shqiptare dhe 2 amerikanë, ndërsa Tirana siç dihet ka një përbërje tërësisht vendore.
Lezhjanëve nuk iu desh shumë kohë për ta marrë kontrollin e lojës, duke treguar dhëmbët që në periodën e parë, ku fituan thellë 26-14. Edhe e dyta u diktua nga Besëlidhja, e cila fitoi 24-12, duke thelluar në 50-26 pas 20 minutash lojë. Perioda e tretë ishte edhe më dramatike për Tiranën, me skuadrën e Erkand Karajit që pret 5 minuta për të shënuar koshin e parë. Ky fraksion mbyllet 31-13, me Besëlidhjen që e çon avantazhin në 81-39 pas 30 minutash.
Çereku i fundit luhet sa për statistikë, dhe mbyllet 19-18 për lezhjanët, që vulosin takimin me triumf treshifror me +43 avantazh. Kjo ishte Superkupa e parë në histori për ekipin e Besëlidhjes, ndërsa kapiteni Elvis Beqo ngriti lart trofeun. Me 15 pikë, 8 kërcime dhe 4 asistime, FSHB vlerësoi Julian Hamatin si lojtarin MVP të finales. Për Tiranën rendimentin më të lartë e kishte i zakonshmi, Endrit Hysenagolli, autor i 17 pikëve dhe 10 kërcimeve. Me përfundimin e Superkupës, në fundjavë do të jetë radha për startin e kampionatit kombëtar.
Bilali: Fituam me mbrojtje, edhe sulmi OKTrajneri i Besëlidhjes, Afrim Bilali, e komentoi kështu triumfin e lezhjanëve kundër Tiranës në Superkupë: “Surprizë nuk ishte fitorja jonë në Superkupë, por ajo humbje në Kupën e Federatës. Puna e bërë gjatë gjithë kësaj vere u shpërblye me këtë Superkupë që është edhe trofeu i parë dhe i rëndësishëm për këtë edicion. Humbja e javës së kaluar na bëri të kuptojmë që luhet për çdo ndeshje dhe çdo ndeshje është e rëndësishme.
Dua të përgëzoj djemtë për impenjimin që kanë treguar gjatë të gjithë javës dhe sigurisht të gjithë ata që na kanë mbështetur dhe na mbështesin në rrugëtimin tonë”, tha fillimisht Bilali, teksa më pas u ndal te loja e Besëlidhjes: “Ekipi jonë është i gatuar që të bëjë presion dhe të luajë fort, pa dyshim edhe të sulmojmë shpejt. Në këtë finale përveçse funksionoi mbrojtja, funksionoi edhe sulmi. Lojtarëve iu thashë që detyra e trajnerit është që t’iu nxjerrë bosh, më pas nëse shënoni apo jo kosh, ajo është puna juaj. Unë besoj dhe mendoj që loja fitohet nga mbrojtja dhe ne luajtëm në mbrojtje mirë, duke arritur që ta Tiranën”, u shpreh ndër të tjera trajneri i lezhjanëve pas ndeshjes për “RTSH Sport”.
LIBRI I ARTË I SUPERKUPËS1999 VLLAZNIA2000 DINAMO2001 TIRANA2002 DINAMO2003 TIRANA2004 VALBONA2005 VALBONA2006 VALBONA2007 VALBONA2008 TIRANA2009 TIRANA2010 TIRANA2011 TIRANA2012 TIRANA2013 KAMZA2014 KAMZA2015 KAMZA2016 KAMZA2017 TIRANA2018 TEUTA2019 TEUTA2020 (NUK U ZHVILLUA)2021 TEUTA2022 TEUTA2023 TIRANA2024 BESËLIDHJA
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi