BASKET/ Gorea: Besëlidhja e meritoi titullin, qesharake të thuash se janë më të mirët e 5 viteve të fundit
Basketbolli shqiptar ka mbyllur disa ditë më parë edicionin 2023-2024, një sezon që pa Besëlidhjen dominuese, e cila u shpall kampione pa asnjë humbje, duke fituar një titull historik, teksa mposhti në finalet “play off” Teutën, 4-0 me ndeshje.
Një edicion, i cili ndryshe nga paraardhësit nuk dhuroi shumë rivalitet, pasi të gjitha ekipet u dukën të dorëzuara përballë superfuqisë kualitative dhe ekonomike të lezhjanëve. Me skuadrën e tij nënkampione, presidenti i Teutës, Arqile Gorea, ka analizuar kampionatin në një intervistë për “Panorama Sport”. Gorea duket i kënaqur me ecurinë e durrsakëve në një prej sezoneve më të vështira, kryesisht në aspektin financiar. Teksa i njeh meritat e padiskutueshme Besëlidhjes për titullin, kreu i bregdetarëve nuk pajtohet kurrsesi që lezhjanët të quhen ekipi më i mirë i viteve të fundit. Gorea është rikthyer gjithashtu të komentojë edhe polemikat e zakonshme që ka pasur me federatën për arbitrimin.
Gorea, u mbyll një kampionat ndryshe nga të tjerët, me skuadrat të grupuara në një kategori. Si e gjykoni sezonin që lamë pas?
Sistemi i ri që aplikoi federata solli një atmosferë me ndryshime të rëndësishme, duke nisur sistemi emocional. Nëse nga kampionatet e tjera emocioni ka vazhduar nga fillimi dhe deri në fund, ky kampionat ishte gjysmë emocional. E them këtë sepse mënyra sesi u konfigurua sistemi i ballafaqimit dhe i ndeshjeve, që në fillim nxori në pah jo garën sportive, por garën financiare, pra ballafaqimin e buxheteve.
Gjithashtu u zhvillua një sezon me kufizimin e lojtarëve të huaj. Solli ndonjë avantazh kjo nismë e federatës?
Mendoj që si nismë ka qenë e mirë dhe progresive, por nuk besoj që ka sjellë ndonjë gjë të madhe. Unë jam partizan i kësaj, që ‘kush do të bëhet, bëhet’, ashtu sikurse janë bërë lojtarët shqiptarë, të cilët kanë luajtur nëpër ekipe të tjera. Për mua kushti kryesor është që t’i kushtohet shumë rëndësi shkollës së basketbollit, me trajnerë kualitativë që dinë të punojnë dhe jo vetëm që dinë të flasin. Nuk duhen trajnerë që ngatërrojnë ‘sapunin me djathin’, por duhen ata që e marrin qumështin që nga burimi dhe nxjerrin produktin. Kjo gjë do ti japë edhe vlerën e vet basketbollit. Futja e kufizimit të lojtarëve të huaj solli edhe një inflacion të lojtarëve vendës, të cilët rezultuan me pakicë, gjë që artificialisht nxiti pagesa jo të merituara nga ana e tyre. Por po ti referohesh diferencës së buxheteve, potencialit ekonomik, Besëlidhja mblodhi lojtarët më të mirë vendës dhe të huaj goxha kualitativë, gjë që i dha që në fillim statusin e superiorit në kampionat, ndryshe nga sezonet e tjera.
Kishim dominimin e Besëlidhjes, e cila e mbylli kampionatin me të gjitha fitore. Cili është komenti juaj për skuadrën lezhjane?
Besëlidhja për këtë sezon kishte ekipin më të mirë dhe absolutisht që e meritoi titullin. Por natyrisht nuk mund të rri pa përmendur që për Lezhën këtë vit kontribuuan të gjitha ekipet, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve të tyre ishin lojtarë të Teutës deri dje, apo të Tiranës. Teuta gjithmonë i ka dhënë rëndësi grupit dhe kualitetit të trajnerit dhe kemi arritur që të kualifikojmë rini basketbollistike me kualitet të lartë, gjë që natyrisht në ekonominë e tregut kemi kërkesë/ ofertë, kështu që i mblodhi Besëlidhja, duke u siguruar fitime më të larta. Kështu i mblodhi edhe nga Tirana, mirëpo kjo gjë jo vetëm që forcoi Besëlidhjen, por dobësoi edhe ekipet e tjera.
Sipas jush për Teutën mbërritja në finale ishte maksimumi që mund t’i merrnit kampionatit, apo prisnit diçka më tepër?
Për sa i përket finaleve u duk qartë që një skuadër me 15 lojtarë kualitativë do të përballej me Teutën, e cila falë trajnerit të mrekullueshëm dhe me një buxhet qesharak, që është turp të përmendet në ditët e sotme, mbërriti deri në finale. Lojtarët e Teutës janë trajtuar me 20 mijë lekë në muaj për lojtarë, pra më pak se 700 lekë në ditë që është edhe fasha e varfërisë sipas INSTAT. Për këtë skuadra e Teutës meriton falënderim, në mënyrë speciale trajneri shumë profesional si dhe ata njerëz që kanë bërë kompensimet e mungesave në pagesën e lojtarëve të huaj dhe vendës. Kështu që ajo që unë kam thënë që në fillim që përveç një gare sportive do të ishte edhe një ‘rrumpallë sportive’, besoj që ndodhi. Teuta ishte si Skënderbeu, ku me 15 mijë ushtarë luftoi ushtrinë e sulltanit me 200 mijë.
A e konsideroni Besëlidhjen si skuadrën më të fortë të këtyre viteve në Shqipëri?
E ritheksoj që Besëlidhja kishte ekipin më të mirë, por në komentet që janë bërë lart e poshtë po dëgjoj të thuhet që kjo skuadër është më e mira e 5 viteve të fundit në Shqipëri dhe kjo për mua është qesharake. Sepse e para e punës të gjithë këta lojtarë që ka Besëlidhja kanë qarkulluar nga Teuta dhe nga Tirana. E dyta, me një herë kampion nuk mund të matesh me Tiranën që ka dalë 20 herë. Me një titull kampion nuk mund të konkurrosh Teutën që gjatë viteve të fundit i ka dhënë tonin basketbollit shqiptar, duke nisur që nga fitimi i kampionateve, i Kupave dhe i Superkupave, pa harruar vendin e dytë në Ligën Ballkanike, rezultat që nuk e ka arritur asnjë ekip shqiptar deri tani. Gjithashtu jemi kualifikuar në fazën ‘play off’ të Ligës Unike dhe Besëlidhja e pa ballafaqimin me ekipet e Kosovës se çfarë niveli kishte. Megjithatë fitimtari nuk gjykohet dhe ka të drejtë të thotë çdo gjë, por u lutem të mos thonë gënjeshtra dhe marrëzira.
Një sezon që si gjithnjë nxori në pah edhe individët…
Sezoni ka pasur disa lojtarë shumë të mirë, si nga garda e vjetër, me legjendarin Hysenagolli, pavarësisht moshës. Sigurisht kemi makinerinë e parketit, Hamatin. Shestani gjithashtu ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kthesat e momenteve të ndeshjeve, me kosha shumë decizivë. Gjithashtu ka pasur edhe lojtarë të rinj që kanë spikatur. Ndërsa për sa i përket lojtarëve të huaj, le të harrojë çdo ekip që nuk sjellë më në Shqipëri basketbollistë si ata që kanë veshur fanellën e Teutës, duke nisur nga Coopes, Ducree, Ogden apo Pelissier, etj. Absolutisht që edhe trajneri më i mirë i kampionatit që lamë pas ishte ai i Teutës, Nikola Milatoviç, dhe kjo as nuk mund të diskutohet. Unë këto vitet e fundit kam pasur dy trajnerët më të mirë dhe nuk mund të rri pa falënderuar as Melzin Lazimin, i cili gjithashtu ka bërë një punë të shkëlqyer me ekipin në përgjithësi dhe të rinjtë në veçanti. Unë i kam xhiruar të gjithë trajnerët e tjerë, dikush ka qëndruar 48 orë, dikush tjetër një muaj, dikush dy muaj, por nuk kanë qenë në nivelin e Teutës dhe i kam larguar.
Gjithashtu mbyllët një tjetër edicion në të cilin patët polemika me arbitrat, madje edhe jeni paditur prej tyre…
E përsëris që sistemi i arbitrimit dhe caktimi i gjyqtarëve duhet korrigjuar urgjentisht, pavarësisht nga polemikat dhe mënyra e stisjes që gjoja arbitrat reaguan. Nuk dua ti futem atij problemi për sa i përket anës organizative dhe konspiracionit që ata ndërtuan, por është e neveritshme të mendosh që një derr i rritur në moçalin e trukimit dhe të padrejtësisë, mund të veshë rrobat e gladiatorit. Nuk bëhet derri gladiator dhe duhet të gjejnë tjetër personazh. Duhet të luftojnë brenda vetvetes nepotizmin, sepse nepotizmin nuk e kanë vetëm brenda formacionit, por e kanë edhe në ndeshje. Flas sepse më dhemb basketbolli për kontributin që kam dhënë, pasi kam marrë një Teutë në vendin e fundit në kategorinë e dytë duke e nxjerrë kampione, madje edhe këtë sezon që ishte një vit i zi financiar për ekipin, skuadra luajti me dinjitet duke u renditur në vend të dytë.
Si e parashikoni sezoni e ardhshëm në basketbollin shqiptar?
Unë nuk jam disfatist dhe mendoj që pavarësisht këtij viti, edhe vitin e ardhshëm prognoza që unë kam është që do të dominojë financa dhe ekonomia. Por shpresoj që të dominojë edhe ligji, i cili mund të sjellë shumë ekuilibra edhe në basketboll…
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi