Arrestimi i ish-ministrit Beqaj, Këlliçi: Show për të hequr vëmendjen nga vendimi i Apelit të GJKKO për dosjen 5D
Për ish-deputetin e Partisë Demokratike, arrestimi i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqajt, është show për të hequr vëmendjen nga vendimi i një dite më parë i Gjykatës së Posaçme të Apelit për dosjen 5D, ku ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, i konsideron “një Grup të Strukturuar Kriminal”.
Në një deklaratë për media, ai u shpreh se është show pasi Beqaj, “në vend që të arrestohej për abuzimin, vjedhjen e qindra milionë eurove dhe shkatërrimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, u arrestua pikërisht sot për disa fatura restorantesh dhe vetëm për të hequr vëmendjen nga vendimi i djeshëm për dosjen 5D dhe kreun e këtij Grupi të Strukturuar Kriminal Erion Veliaj”.
LEXO EDHE: Dosja 5D/ Apeli i Posaçëm lë në qeli ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, rëndon akuzat për të pandehurit që i dhanë tendera kompanisë së tyre
Ndër të tjera ai iu bën thirrje qyetarëve të bashkohen në protestën e së premtes para Bashkisë së Tiranës, në orën 11:00.
Deklarata e Këlliçit:
Të nderuar qytetarë,
Ditën e djeshme, u informuam nga mediat se Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në një vendim shumë të qartë të sajin, e ka konsideruar kompaninë 5D Konstruksion dhe drejtorët e Erion Veliajt, si një Grup të Strukturuar Kriminal.
Këta drejtorë, vetëm me kompaninë 5D, kanë vjedhur të paktën 30 milionë euro tendera publikë, përmes 45 proçedurave tenderuese, në harkun kohor të 7 viteve.
Ky është një fakt që ne e kemi bërë publik dhe kallëzuar në SPAK që në muajin prill të vitit 2023, vijojmë e përsërisim prej 10 muajsh nga kjo foltore si dhe prej 15 javësh kjo është kryefjala e protestave para Bashkisë Tiranë.
Fakti që Gjykata i kërkon thellimin e hetimeve prokurorëve të SPAK, dëshmon fatkeqësisht atë që Partia Demokratike ka thënë prej kohësh: Kjo është drejtësi me regji!
Ky vendim është një kthesë vendimtare për fatet e hetimit dhe për zbardhjen e së vërtetës të hajdutëve në bashkinë Tiranë. Nuk ka shqiptar që e beson se Erion Veliaj nuk dinte gjë dhe se drejtorët hajdutëronin pa dijeninë e tij.
Gjykata në vendimin e saj është shprehur se përpos trajtimit të dosjes 5D si një Grup i Strukturuar Kriminal, Prokuroria e Posaçme (SPAK) duhe të hetojë edhe deklarimet e shtetases Jona Bejko, e cila e cilësonte ‘lali erin’ si pronarin faktik të hotelit 50 milionë euro në Durrës.
Pra thënë shkurt e qartë, ish zv. Kryeministri Arben Ahmetaj e cilëson Erion Veliajn si pronarin faktik të inceneratorit Tiranë, punonjësja e 5D Jona Bejko e cilëson Erion Veliajn si pronarin faktik të hotelit 50 milionë euro në Durrës, kurse Altin Dumani dhe SPAK, ende refuzojnë të bëjnë detyrën, por mbi të gjitha refuzojnë të zbatojnë edhe vendimet e Gjykatës Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Kolegët e Erionit në SPAK e kanë të kotë edhe shoë-n e sotëm me Ilir Beqen, i cili në vend që të arrestohej për abuzimin, vjedhjen e qindra milionë eurove dhe shkatërrimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, u arrestua pikërisht sot për disa fatura restorantesh dhe vetëm për të hequr vëmendjen nga vendimi i djeshëm për dosjen 5D dhe kreun e këtij Grupi të Strukturuar Kriminal Erion Veliaj.
Kolegët e Erionit e kanë të kotë, pasi Partia Demokratike dhe unë personalisht, jemi të vendosur të mos amnistojmë kurrë hajdutin Erion Veliaj dhe shtabin e tij elektoral të 14 Majit 2023.
Nuk ka drejtësi të pjeshme, drejtësi me regji, por vetëm drejtësi që i sheh të gjithë të barabartë përpara ligjit.
Thirrja ime në emër edhe të qyetarëve që besojnë se shteti është aty për të mbrojtur qyetarin dhe jo hajdutin me pushtet është:
Bashkohuni nesër me protestën e qytetarëve tek bashkia Tiranë, në orën 11:00, siç bëjmë tashmë prej 15 javësh.
Ne kemi vetëm një synim: Drejtësi për qytetarët, shpëtim për Tiranën dhe hajdutët para ligjit.
O sot, o kurrë.
Ju faleminderit.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi