Arrestimi i Ilir Beqajt, deputetët e PS refuzojnë komentet! Braçe: Videot me pranga në duar nuk janë argument! Reforma në Drejtësi për këtë u bë!
Deputetë e ministra të Partisë Socialiste kanë refuzuar të komentojnë arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj ditën e sotme me urdhër të SPAK, lidhur me abuzimin e fondeve të BE.
I pyetur nga gazetarët jashtë ambienteve të Kuvendit para nisjen së seancës plenare, ministri Ulsi Manja u shpreh se “nuk pyeten politikanët për çështjet e drejtësisë”, ndërsa Tonin Gogu u shpreh se “jemi në kuvendin e Shqipërisë ne bëjmë ligje, komentet për arrestimet bëjini tek organet ligjzbatuese”.
Ka qënë deputeti Erion Braçe ai i cili u ndal për mediat, ku tha se videot me pranga në duar të Beqajt nuk janë argument, ndërsa shtoi se “Reforma në Drejtësi për këtë u bë!”
Pjesë nga intervistat
Tonin Gogu: Jemi në kuvendin e Shqipërisë ne bëjmë ligje, komentet për arrestimet bëjini tek organet ligjzbatuese
Anila Denaj: Komentet do i bëj aty brenda
Ulsi Manja: Ju lutem, nuk pyeten politikanët për çështjet e drejtësisë
Edona Bilali: Nuk kam asnjë koment
Nasip Naço: Kur flet drejtësia, heshtin të tjerët
Erion Braçe: Me thënë të drejtën kam parë këto lajmet e para, do duhet të kemi informacion më tepër. Videot me pranga në duar nuk bëjnë argument. Duhet të shohim një informacion më të detajuar. Përtej kësaj, reforma në drejtësi për këtë u bë, ne reference të provave dhe fakteve ndaj çdo individi pavarësisht fuqisë politike qe ka.
Ajo që dua të them është se ende nuk ka asnjë përgjegjës për 21 janarin, për gërdecin kur janë vrarë njerëz dhe nuk janë vjedhur vetëm lek. Cilido që abuzon me ligjin, rruga është e hapur. Në momentin që ka implikime në lidhje me fondet duhen parë shumë seriozisht e të përmbushim detyrimet që BE vendos për fondet e veta. PS duhet të mbaj një përgjegjësi morale dhe po mban. Kur paraqitemi para një gare elektorale, secili do marri kosto.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi