Ankimimi i Berishës në Gjykatën Kushtetuese, zbulohet data dhe ora kur do të mbahet seanca për ish-kryeministrin
Do të zhvillohet më 19 nëntor të këtij viti, në orën 10:00, seanca në Gjykatën Kushtetuese mbi ankimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për masën e parë të sigurisë, “detyrim me paraqitje”, të dhënë tetor të vitit 2023.
Seanca do të zhvillohet mbi një bazë dokumentash ku ish-kryeministri kërkon shfuqizimin e e vendimeve të të GJKKO-së, Apelit të GJKKO-së dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
“Shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”, kërkon Sali Berisha.
Më 11 shtator, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka njoftuar akuzat për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion në atë që njihet si afera e terreneve sportive të klubit Partizani.
Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit pasiv së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës. Në dyert e SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi