
Afati i fundit për listat e deputetëve për zgjedhjet e 11 majit, mblidhet Kryesia e PS! Kryeministri Rama mbërrin në selinë rozë
Kryeministri Edi Rama, ka mbërritur në selinë e Partisë Socialiste, ku do të mbahet mbledhja e Kryesisë për të finalizuar listën me emrat e deputetëve për zgjedhjet e 11 majit.
Rama është parë duke hyrë në godinë i shoqëruar nga ministri Ulsi Manja.
Kujtojmë se sot është afati i fundit që kanë në dispozicion partitë dhe koalicionet që do të hyjnë në zgjedhje më 11 maj, për të depozituar në KQZ listat me kandidatët e tyre për secilin qark.
Kreu i mazhorancës Edi Rama ua ka bërë të qartë deputetëve të tij skemën e ardhshme të përzgjedhjes së ekipit të tij garues. Ai paralajmëroi se të gjithë deputetët përveç drejtuesve politikë do të jenë në listë të hapur.
Sa i përket listës së mbyllur ai deklaroi se do t’u takojë grave, vajzave dhe djemve të rinj. Rama zhvilloi takimet traditë me ministra e drejtues politikë për 3 ditë me radhë. Sipas tij deputetët aktualë duhet të jenë në listë të hapur. Në rast se nuk dëshirojnë, duhet të njoftojnë paraprakisht.
Për veten, deklaroi se ende nuk ka marrë një vendim, por gjasat janë të mëdha që të mos kandidojë, për shkak të detyrës që ka dhe për t’u lënë hapësirë të rinjve.
Ndërkohë thuajse asnjë deputet që gëzon qoftë edhe një mandat nën logon e PS nuk do të jetë në listën e sigurt, për një vend në parlamenti betejën duhet ta bëjnë në terren. I njëjti parim tha se do të ndiqet edhe për gratë deputete, megjithëse për to mund të ketë edhe ndonjë përjashtim nga rregulli.
Të paprekur la drejtuesit politikë, ekipin bërthamë të socialistëve, të cilët do të jenë në listën e mbyllur duke zënë 12 nga 46 vendet e sigurta.
Nga 14 drejtuesit e qarqeve, vetëm 12 prej tyre janë deputetë të sigurt të legjislaturës së ardhshme, pasi për kryebashkiakët e Durrësit dhe Shkodrës, Emirjana Sako dhe Benet Beci, nuk ka asnjë sinjal për përfshirjen në listë, duke vijuar punën si kryetarë bashkie.
Pezull mbetet vetë pozicioni i kryesocialistit, i cili për herë të parë ngriti pikëpyetje për kandidimin e tij, duke deklaruar se mund të mos jetë në listën e kandidatëve.
Mes 34 emrave të figurave të reja që nuk kanë pasur kurrë një mandat deputeti, e që priten në listë të sigurt janë ministra të kabinetit të tij qeveritar, Pirro Vëngu, Adea Pirdeni, Igli Hasani apo Petrit Malaj. Pjesa tjetër, do të duhet të luftojë në “det të hapur”, e minimalisht nëse socialistët do të ruajnë pozitat e 2021-shit, me 74 mandate, për ta mbeten vetëm 28 vende.
Deputetët të cilëve Rama u ka deleguar një zonë të caktuar elektorale, pritet të jenë në listat e hapura, në rast se nuk do të tërhiqen nga gara siç bëri kolegu i tyre, Petro Koçi, i cili njoftoi publikisht se nuk do të jetë në listat e kandidatëve. Tërheqja e tij, Koçi thotë se nuk është frikë nga gara, por për shkak se nga partia nuk i është ngarkuar një zonë elektorale.
Deputetë si Toni Gogu, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Arben Pëllumbi apo Xhemal Qefalia që kanë zonat e tyre në qarkun e Tiranës, pritet të jenë në listë të hapur, ashtu si shumë prej kolegëve të tyre në rrethe. Lista do të zyrtarizohet në mbledhjen e Kryesisë, e do të bëhet me dije nga secili prej drejtuesve të qarqeve përpara dorëzimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi