![Zjarr i madh në Tepelenë, forca të shumta zjarrfikëse në terren](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2024/08/zjarr-i-madh-ne-tepelene-forca-te-shumta-zjarrfikese-ne-terren_66b9f8750d78e.png-730x440-lajmidites.com.webp)
Zjarr i madh në Tepelenë, forca të shumta zjarrfikëse në terren
Një zjarr i madh ka përfshirë shpatin e malit mbi fshatin Luzat në Tepelenë. Flakët kanë kapluar një sipërfaqe të konsiderueshme dhe, me gjithë përpjekjet intensive të forcave zjarrfikëse nga i gjithë qarku i Gjirokastrës, ka qenë e pamundur vendosja e zjarrit nën kontroll.
Në terren janë të angazhuar zjarrfikësit e Tepelenës, Memaliajt, Gjirokastrës dhe Përmetit. Po ashtu, një zjarrfikëse e forcave të armatosura është dërguar në ndihmë. Aktualisht, mbi 80 efektivë, përfshirë zjarrfikës dhe vullnetarë, po luftojnë për të ndaluar përhapjen e flakëve.
Për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit, një helikopter “Coguar”, i cili furnizohet me ujë nga liqeni i Bajkaj në Delvinë, është angazhuar në operacionin e shuarjes së zjarrit.
Për shkak të kushteve të vështira dhe përmasave të mëdha të zjarrit, situata mbetet e vështirë, dhe autoritetet po bëjnë çdo përpjekje për të evituar përhapjen e mëtejshme dhe për të mbrojtur zonat e rrezikuara.
Burimi