Vrasja e shqiptarit Nikolin Nika, reagon kryebashkiaku italian: Viktimën nuk e njihja, por e kisha takuar 2-3 herë në fshat
42-vjeçari shqiptar, Nikolin Nika u vra mbrëmjen e 24 nëntorit në Bettola të Italisë, teksa hetimet e njësisë hetimore të Karabinierëve vazhdojnë të pandërprera për të rindërtuar plotësisht atë që ka ndodhur.
Ndërkohë, kryebashkiaku i komunës së Bettola-s, Paolo Negri ka reaguar i tronditur për ngjarjen. Duke folur për mediat italiane, ai tha se nuk do ta kishin menduar kurrë që një ngjarje e tillë të ndodhte në komunitetin e tyre. Kryebashkiaku thotë se nuk e njihte shqiptarin po vetëm e kishte takuar 2-3 herë në fshat.
“Nuk do ta kishim menduar kurrë që një ngjarje kaq e rëndë dhe e përgjakshme të ndodhte në komunitetin tonë të vogël. Unë jetoj disa dhjetra metra larg vendit ku ndodhi vrasja. Isha në shtëpi dhe kur dëgjova sirenat menjëherë e kuptova se kishte ndodhur diçka e rëndë. Këtu në Bettola bashkëjetojnë disa komunitete të huaja, të gjitha janë të integruara mirë. Nuk e kishim menduar kurrë se do të arrinim kaq larg. Viktimën nuk e njihja personalisht, por e kisha takuar 2-3 herë në fshat. Ai punonte si druvar në një kooperativë”, tha kryebashkiaku Negri.
Nikolin Nika me origjinë nga Shkodra, u gjet i vdekur me 3 plagë në qafë, në një trotuar përpara një lokali në ‘Viale Delle Vittoria. Policia italiane mësohet se vendosi në pranga një 62-vjeçar shqiptar, si autor të dyshuar të vrasjes së bashkatdhetarit të tij. Dyshohet se shkak kanë qenë mosmarrëveshje të vjetra mes të dyve.
Ndërsa Nikolin Nika mbeti i shtrirë në trotuar i mbuluar nga gjaku. Kur ambulanca mbërriti në vendngjarje, 42-vjeçari ishte ende gjallë. Bluzat e bardha u munduan ta mbanin në jetë, por fatkeqësisht Nika ndërroi jetë në duart e tyre.
Burimi