Vrasja e 42-vjeçarit në Pogradec, Rrumbullaku ‘ultimatum’ Drejtorisë së Policisë Korçë: Zbardhni ngjarjen!
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, ka urdhëruar inspektim në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, lidhur me ngjarjen në qytetin e Pogradecit, ku humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga.
“Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë.
Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit shpreh edhe një herë angazhimin maksimal për zbatimin e ligjit dhe punën profesionale dhe me integritet të strukturave të policisë”, thuhet në një njoftim për shtyp.
Për ngjarjen në fjalë në pranga ka përfunduar 29-vjeçarin Denis Meçe, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta duke i shkaktuar fraktura të rënda që çuan në vdekjen e 42-vjeçarit Eglantin Proga dhe tre persona të tjerë, të identifikuar si Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.
Pasi fillimisht vdekja e 42-vjeçarit u raportua si aksident, u ngritën dyshime se u tentua të fshihej ngjarja.
Në një reagim publik, blutë e Korçës sqarojnë se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të manipulohet apo fshihet ngjarja.
Burimi