Vrasja e 14-vjeçarit te “Fan Noli”, PD kërkon interpelancë urgjente me Manastirliun

Vrasja e 14-vjeçarit te “Fan Noli”, PD kërkon interpelancë urgjente me Manastirliun

Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
PD e cilëson si një ngjarje të paralajmëruar që tregon mungesën e sigurisë në shkolla dhe ndihmës psikologjike.
Në kërkesën për interpelancë, PD ndalet edhe te “Paketa e Sigurisë” në shkolla, e propozuar më shumë se një vit më parë nga Ministria e Brendshme, por që ende nuk ka kaluar për votim në Kuvend.
Sipas PD, kjo paketë është propaganduar nga qeveria sikur do të rriste sigurinë në shkolla.
“Qeveria ka propaganduar të ashtuquajturën “Paketa e Sigurisë në Shkolla” që do të identifikonte rreziqet, do të rriste sigurinë, jo vetëm brenda shkollës, por edhe ne perimetrin e sigurisë jashtë shkollave. Oficer të trajnuar duhet të merreshin me këtë çështje dhe do ishte sipas qeverisë prioritet i MAS. Në shtator të këtij viti kryeministri është shprehur se “oficeri i sigurisë duhet të jetë në vend të prindërve, që duhet të njohë çdo nxënës dhe problematikat e tyre, që ata të ndihen dhe të jenë të sigurt në institucionet arsimore”. Ndërsa për të vlerësuar situatën psikologjike të fëmijës, është vendosur edhe figura e psikologut në shkolla”, thuhet në kërkesën e PD.
Nëse kërkesa për interpelancë do të pranohet, në emër të PD do ta zhvillojë deputetja Ina Zhupa, njëherazi edhe kryetare e Komisionit të Medias.

Çfarë përmban paketa e sigurisë në shkolla?
Paketa për perimetrin e sigurisë në shkolla, e publikuar që në tetor 2023, propozon rritje të ndjeshme të dënimeve me burgim për 10 vepra penale që kryhen në ambientet shkollore. Çdo vepër penale që lidhet me dhunën seksuale, pornografinë, trafikimin e të miturve, mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve të zjarrit, mbajtjen apo shitjen e armëve të ftohta, shitjen e lëndëve narkotike, përshtatjen e lokalit për përdorim droge, hedhja ose braktisjen e shiringave, nxitjen për përdorimin e drogës, drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt nëse do të kryhet në ambientet shkollore do të ketë ashpërsim të dënimeve.
Krimi në këto ambiente përbëjnë rrethanë cilësuese pavarësisht nëse destinatorët e veprës apo të dëmtuarit janë persona të mitur. Mbajtja e armëve të ftohta propozohej të dënohej nga me burgim nga 3-6 vjet, nga me gjobë deri në 3 vite që përcakton Kodi aktual penal. Kjo paketë ka mbetur peng edhe për shkak të një sipërmarrjeje të Ministrisë së Drejtësisë e cila prej kohësh po përgatit një Kod të ri Penal.
Burimi